Ndërsa nxënësit po bëjnë përgatitjet e fundit për të nisur nesër gjysmëvjetorin e dytë shkollor, situata epidemiologjike me viruset sezonale dhe gripin mbetet mjaft e rënduar. Spitali i Fëmijëve në Kozle po përballet me një fluks të madh pacientësh, ku vetëm brenda 24 orëve po kryhen deri në 250 kontrolle. Mjeku Filip Doksimovski nga Spitali i Fëmijëve “Kozle”, bën të ditur se pavarësisht ditëve të festave, ambulancat kanë qenë të mbushura. Aktualisht, rreth 80 fëmijë janë të shtruar në spital, ku disa prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe kanë nevojë për mbështetje me oksigjen.
“Edhe për festë, ambulancat janë plot, spitali është plot, fatkeqësisht. Sikurse periudhën e kaluar ashtu edhe këto ditë kemi 200 deri në 250 kontrolle brenda 24 orëve, rrëmuja është e madhe. Në spital janë të shtrirë rreth 80 pacientë, disa prej tyre kanë nevojë për mbështetje me oksigjen. Fëmijët më shpesh janë me simptoma të gript, ethe të larta, rrjedhje e hundës, kollitje. Disa prej tyre zhvillojnë pneumoni, bronkit, disa prej tyre kërkojnë trajtim spitalor në institucionin tonë. Pacienti më i vogël është një muaj deri në moshën 16 vjeçare”, deklaroi Filip Doksimovski, mjek, Spitali i Fëmijëve Kozle.
Prindërit e fëmijëve të sëmurë shprehen të dëshpëruar nga gjendja e rëndë e të vegjëlve të tyre. Thanë për Alsat se për ditë të tëra fëmijët janë të molisur dhe temperaturë 40 gradë.
“Tash sapo e sollëm, kishte temperaturë, 40 gradë. Sa kohë është me temperaturë? Dy ditë”, tha një qytetar.
“Temperaturë e lartë, dhimbje fyti, kollitje. Sa vjeç është? Gjashtë. Me temperaturë të lartë ishte tre ditë, sot jemi pak më mirë por erdhëm për kontroll. Më tutje të vazhdojmë me inhalim, pak më shumë distancë këtë periudhë, të mos përzihemi me njerëzit. Është e vështirë kur sheh se ka temperaturë të lartë, nuk mund ti ndihmoni”, u shpreh një nënë.
“Pak është i sëmurë, ka temperaturë, prandaj kemi ardhur. 38.7 ka temperaturën, për shkak se pesë ditë radhazi erdhëm për kontroll. Ishim te mjeku amë, than që është virus mirë po sërish duhet ta sjellim për kontroll”, deklaroi nënë.
Mjeku Doksimovski u bënë thirrje prindërve të jenë tejet të kujdesshëm për të parandaluar përhapjen masive të virusit nëpër klasa. Rekomandojnë izolim nëse fëmija ka rrjedhje hundësh, kollë apo temperature. Të pritet 48 orë për të parë zhvillimin e gjendjes dhe më pas të kërkohet ndihmë nga mjeku ose klinika. Të përdorin paracetamol ose brufen, elektrolite dhe sasi të mëdha lëngjesh dhe të shmangen vendet me shumë njerëz.
Përveç fëmijëve, situate shqetësuese është edhe te moshat e rritura. Në Klinikën Infektive në Shkup, si pasojë e gripit, dje ndërruar jetë një burrë 69 vjeç duke shënuar viktimën e dytë nga gripi stinor.



