Atmosfera festive për ndërrimin e motmoteve filloi që herët në qendër të Shkupit. Qytetarë të shumtë, si vendorë ashtu edhe të huaj, kishin dalë për të shijuar orët e fundit të vitit 2025. Përderisa një pjesë e qytetarëve të vendit thonë se do ta presin Vitin e Ri në ambiente shtëpiake dhe disa tashmë kanë udhëtuar jashtë shtetit, turistët e huaj janë ata që kanë mbushur kryeqytetin.
“Ku do të festoni vitin e ri? Në ambient familjarë. Këtu a s’do të dilni në qendër? Jo, do të jemi në shtëpi me shoqëri”, tha një qytetare.
“Do të jemi në shtëpi, dhe ja tani dolëm më herët që të shfrytëzojmë kohen”, tha një tjetër qytetare.
“Do të festojmë me shokë në shtëpi. Në qendër a do të dilni? Jo, nuk do të dalim në qendër. Për cilën arsye? Për shkak të fëmijëve më mirë është të jemi në shtëpi së bashku me shokë, sigurisht do të jetë interesantë edhe në qendër dhe ja erdhëm më herët që më pas të jemi në shtëpi”, deklaroi një qytetare.
“Urime vitin e ri. Nga cili vend jeni? Erdhëm nga Bulgaria që këtu të festojmë vitin e ri, në qendër e morëm hotelin, jemi shumë të kënaqur dhe koha është e mirë, ju jeni të mirë. Tre autobusë erdhëm nga qyteti Sliven i Bulgarisë dhe të gjithë erdhëm special për të festuar festat e fundvitit këtu”, u shpreh një qytetare.
Edhe pse do të mungojnë kënetorët shqiptar, i pari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në një postim në rrjetet sociale ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në shesh për të pritur së bashku ndërrimin e motmoteve. Sipas tij, performimi i këngëtarëve do të filloje në ora 19:45 dhe do të zgjasë deri pas mesnatë kur edhe do të numërohen minutat mbrapshtë për shënimin e vitit 2026.
“Për ata të cilët kanë vendosur që ndërrimin e motmoteve ta kalojnë në qendër të Shkupit, do të duhet të durojnë edhe temperaturat e ulëta të cilat do të shkojnë deri në minus nëntë gradë celsius”/Alsat



