Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për të refuzuar kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.
Sipas Aleancës, arsyetimi i Ministrisë se provimi nuk mund të zhvillohet në shqip pasi shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase është “banal dhe juridikisht i paqëndrueshëm”, duke rënë ndesh me parimet kushtetuese dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Aleanca për Shqiptarët shpreh mbështetje të plotë për iniciativën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili përmes mesazhit “FOLI SHQIP o taj!” artikuloi, sipas tyre, një të drejtë themelore që po mohohet padrejtësisht.
Po ashtu, përkrahet iniciativa e Avokatit të Popullit, i cili ka hapur procedurë për shqyrtimin e rastit dhe ka paralajmëruar analizë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe veprimeve konkrete të Ministrisë së Drejtësisë.
Në reagim kritikohet edhe Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, për përpjekjen e tij për të relativizuar refuzimin duke e quajtur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës “me defekte”. Aleanca thekson se koalicioni VLEN është pjesë e Qeverisë për të zgjidhur probleme dhe jo për t’u ankuar për ligje që i zbaton prej vitesh.
Aleanca shtron edhe pyetje për rolin e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke kërkuar sqarim pse peticioni i studentëve shqiptarë u delegua te Ministria e Drejtësisë dhe nuk u trajtua në Kuvend.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, Ministri i Drejtësisë me këtë vendim vendos veten mbi Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e shtetit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe barazinë e qytetarëve.
Aleanca për Shqiptarët thekson se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të të drejtave të studentëve shqiptarë dhe përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe, si e drejtë kushtetuese dhe jo si privilegj që varet nga vullneti politik.



