Më datë 19.02.2026, rreth orës 13:30, në pikën kufitare të Tabanocit, gjatë tentativës për të hyrë në shtet, zyrtarët policorë kanë arrestuar shtetasin italian S.V. (45), pasi gjatë kontrollit të detajuar të automjetit të tij me targa italiane u zbulua një sasi e konsiderueshme armatimi dhe municioni.
Brenda mjetit u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë e kalibrit 22, tetë pajisje të improvizuara me gjilpërë aktivizimi për municion të panjohur, si dhe një sasi e madhe municioni e ndarë në disa paketime, përfshirë gjashtë kuti me nga 100 fishekë, një kuti me 200 fishekë dhe një tjetër me 60 copë. Me urdhër të prokurorit publik, personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzimi penal përkatës për trafikim të paligjshëm.



