Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë çuar në arrestimin e një gjyqtari të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, A.G. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Hetimi ndaj tij është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme për disa muaj. Prokuroria thotë se, bazuar në të dhënat dhe provat e mbledhura gjatë hetimit, është krijuar dyshim i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprën penale për të cilën është arrestuar.
Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se në këtë fazë nuk do të publikojë detaje të tjera për rastin.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të angazhuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, në përputhje me ligjin dhe standardet e drejtësisë penale.






