Profesoresha universitare Arlinda Kadri Shahinoviq dhe avokatja Suzana Joshevska -Anastasovska, janë kandidatet e propozuara nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova për anëtare të Këshillit Gjyqësor. Presidentja, para deputetëve i prezantoi biografitë e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë për personalitete që kanë kapacitete të dëshmuara profesionale dhe etike.
“Unë u përpoqa të mati. Kisha shumë kandidatë, para meje kisha shumë biografi megjithatë u përpoqa jo vetëm të udhëhiqem nga profesionalizmi dhe kompetenca, por nëse dëshironi edhe nga opinioni. Pasi proceset reformuese mund të udhëheqim persona të njohur në fusha të caktuara. Unë besoj se të dyja kandidatet nuk i propozova pasi që janë gra, ndërsa unë them se me të vërtetë nevojitet të ndryshohet bota e menaxhimit, por para se gjithash për shkak të profesionalizmit dhe kompetencë së tyre”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Ndërkohë kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski deklaroi se nuk dyshon në zgjedhjen e presidentes.
“Presidentja është para se gjithash është juriste, profesoreshë. Nuk dyshoj në zgjedhjen e saj. Besoj që ka zgjedhur profesionistë të vërtetë që do të kontribuojnë në punën e Këshillit Gjyqësor”, tha Aleksandar Kambovski, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Sipas biografisë së publikuar Kadri Shahinoviq është juriste e diplomuar në vitin 2007 në degën e drejtësisë, ndërsa pas dy vitesh ka marrë titullin magjistre e shkencave juridike. Në vitin 2016-të ka doktoruar në Fakultetin “Justiniani i Parë” në Shën Kirili dhe Metodi në Shkup. Prej vitit 2007 ligjëron në disa universitete, është autore e botimeve shkencore që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, por edhe aktiviste në disa shoqata civile. Ka qenë e angazhuar edhe në pozitën e anëtares së Komisionit për Falje në Presidencë. Megjithatë, në tetor të vitit 2024 ajo dha dorëheqje së bashku me tërë ekipin e Komisionit, pas reagimit publik se asokohe presidentja kishte falur persona kontrovers.
Nga ana tjetër, Suzana Joshevska Anastasovska është avokate me përvojë punë mbi dy dekada, veçanërisht në lëndët penale. Në vitin 2002 ka diplomuar në drejtësi, ndërsa më pas ka marrë titullin magjistre e shkencave juridike për të drejtën penale. Në vitin 2005 e ka kaluar provimin e jurispodencës, ndërsa ka qenë e angazhuar në disa organizata të fushës juridike.
Ndërkohë kreu i Kuvendit Afrim Gashi sot në brifing me gazetarët ka informuar se pas miratimit të ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, do të përsëritet thirrja për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor që vjen nga radhët e shqiptarëve. Sipas kësaj, do të tërhiqet emri i Alban Kadriut, ndërsa përsëritet procedura.
Këshilli Gjyqësor është i përbërë prej 15 anëtarëve. 8 prej tyre zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, 3 të tjerë zgjidhen në Kuvend me shumicë Badinteri dhe 2 anëtarë i propozon Presidenti. Anëtarë sipas funksionit janë edhe kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i Drejtësisë, ndonëse marrin pjesë në seanca, ata nuk kanë të drejtë vote. /Alsat.mk



