Ambasada e Kosovës në Uashington ka njoftuar se shteti i Arizonas, ka njohur zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
“Faleminderit Guvernatores Katie Hobbs për njohjen zyrtare të 17 shkurtit si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Arizona”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Guvernatores theksohet se “Shteti i Arizonës është i nderuar të qëndrojë pranë shqiptaro-amerikanëve në mbarë shtetin për të përkujtuar 17 shkurtin 2008 si Ditën e Pavarësisë së Kosovës”.
Dokumenti rikujton se “më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës shpalli zyrtarisht pavarësinë në Prishtinë”, duke e cilësuar këtë moment si një hap historik të mbështetur në “parimet e sovranitetit dhe vetëvendosjes”.
Po ashtu, lerësohet kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan, ku thuhet se “shqiptaro-amerikanët vazhdojnë të formësojnë strukturën e larmishme shoqërore dhe ekonomike të Arizonës”.
Në përfundim, Guvernatorja Hobbs shpall zyrtarisht 17 shkurtin 2026 si “Dita e Pavarësisë së Kosovës në Arizona”, duke e njohur këtë datë në nivel shtetëror dhe duke riafirmuar mbështetjen për vlerat e lirisë dhe pavarësisë. /Telegrafi/



