Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka paralajmëruar protesta, bojkot dhe greva nëse vazhdon bllokimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në një intervistë për KosovaPress, Gjini tha se situata institucionale në vend po përshkallëzohet dhe se veprimet konkrete do të përcaktohen pas konsultimeve me akterët politikë e shoqërorë.
Ai kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i akuzuar për shkelje të vazhdueshme të normave kushtetuese dhe ligjore. “Kosova është veç tash jashtë çdo norme kushtetuese”, deklaroi Gjini, duke paralajmëruar se vendi po hyn në një terren të pasigurt institucional. Ai tha se reagimet mund të marrin forma të ndryshme, përfshirë protesta, bojkot dhe greva, nëse nuk gjendet një zgjidhje për krizën.
Gjini kritikoi edhe diskutimet për zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se mënyra aktuale e zhvillimit të tyre po e dëmton rëndësinë e kësaj pozite. Ai tha se AAK-ja nuk do të përfshihet në zgjedhjen e presidentit pa garanci për përmbushjen e gjashtë kërkesave të saj, ndër to edhe gazin amerikan. Sa i përket kandidaturës së Faton Bislimit, Gjini vlerësoi kontributin e William Walker dhe Joe DioGuardit, por tha se kjo nuk e përcakton qëndrimin e Aleancës. Sipas tij, zvarritja e formimit të institucioneve mund të jetë pjesë e një strategjie të Kurtit për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.






