Në kuadër të Fashion Weekend Shkup, dizajnerja Arbesa Abazi mahniti publikun me koleksionin e saj të ri “FEMME”, një homazh për gruan – forcën, elegancën dhe bukurinë që ajo mbart natyrshëm.
Në këtë koleksion, Abazi sjell gruan me karakter të fortë, me një prani të bukur dhe një forcë të brendshme që nuk ka nevojë për fjalë. “FEMME” është një rrëfim mode për femrën që nuk ndjek trendet, por krijon identitetin e saj përmes qëndrimit, vetëbesimit dhe finesës.
> “Eleganca nuk blihet as vishet – ajo buron nga mënyra si gruaja ecën, flet dhe e mban veten. Gruaja është më e bukur kur është vetvetja,” – tha Arbesa Abazi pas sfilatës.
Koleksioni përfshin veshje solemne dhe sako elegante, të punuara me materiale luksoze si dantellë franceze, kadife, tafta, organza dhe stof, që bashkojnë klasiken me ndjesinë bashkëkohore.
Në pasarelë dominuan nuancat e zeza, të kuqe, jeshile e errët, blu e thellë dhe tonet e buta të kremit dhe shampanjës, duke theksuar belin si simbol të përjetshëm të feminitetit.
Kulmi i mbrëmjes ishte defileja finale, ku modelet u shfaqën bashkë në një moment të fuqishëm simbolik – një përfaqësim i bashkimit dhe forcës së grave. “Ishte një ndjenjë emocionale, sikur çdo grua në pasarelë përfaqësonte një aspekt të ndryshëm të feminitetit,” – u shpreh Abazi.
Me “FEMME”, Arbesa Abazi ka bërë një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj si krijuese. Ajo tashmë ka nisur punën për një linjë të re që do të ruajë frymën e elegancës natyrale, por me një qasje moderne në prerje dhe detaje, duke vazhduar të tregojë histori që lidhen ngushtë me identitetin e saj si kreatore.
 
 
 
 
 
 


                                    



