Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me projektin “Safe City”, duke akuzuar këtë institucion se po vepron në funksion të qeverisë dhe në dëm të të drejtave të shqiptarëve, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Ademit, prej kohësh është paralajmëruar se Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një mekanizëm për të minuar arritjet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Ai ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, për të cilin thotë se nuk e fsheh qëndrimin anti-shqiptar.
“Për projektin ‘Safe City’, u vendos që sms-porositë të dërgohen vetëm në maqedonisht. Madje ato mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip. Ky është një absurditet që bie ndesh me vetë Kushtetutën dhe me parimet e barazisë gjuhësore në vend”, deklaroi Ademi.
Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën, sipas tij, një keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ndërhyrje të rëndë në rendin juridik të shtetit. Ademi gjithashtu vuri në dukje se gjatë vendimmarrjes në këtë institucion, dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjyqtar turk janë mbivotuar, duke e krahasuar situatën me praktikat e viteve të nëntëdhjeta.
“Edhe një herë po dëshmohet se mekanizmat institucionalë po përdoren për të zbehur të drejtat e shqiptarëve. Ndërkohë, ata që deri dje thoshin se ‘ka kush kujdeset për shqiptarët’, sot heshtin”, theksoi sekretari i përgjithshëm i BDI-së.
Ai e përmbylli reagimin duke vlerësuar se zhvillimet e fundit paraqesin një situatë shqetësuese për barazinë dhe funksionimin e rendit kushtetues në vend



