Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Pikë Podcast” në Ora24 dhe Almakos, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, komentoi zhvillimet e fundit politike.
“Jam shumë krenar që ne ishim arsyeja që BDI shkoi në opozitë. Ishte koha të filtrohej dhe të pastrohej.”
Sa i përket zgjedhjeve lokale dhe mundësive për bashkëpunim ndërpartiak, Taravari u shpreh se në disa komuna me shumicë shqiptare është jetike që partitë shqiptare të gjejnë gjuhë të përbashkët për të fituar beteja të rëndësishme elektorale.
“Në Kërçovë, Dollnen, Çashkë, Butel, Manastir dhe Prespë, nëse mendojmë për shqiptarët para partive tona, duhet të kemi kandidatura të përbashkëta. Racionaliteti duhet të mbizotërojë.”
Ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare, përfshirë edhe individë nga BDI – për sa kohë që përputhen me standardet dhe vizionin e Aleancës për Shqiptarët.
“Kusht i domosdoshëm për përkrahje të ndërsjellë është që kandidati të jetë i pranueshëm edhe për ASH-në. Për shembull, mund të mbështesim figura si kryetari i Haraçinës, edhe pse është nga radhët e BDI.”
Lidhur me ndarjen nga qeveria, Taravari tregoi se pakënaqësitë ishin të kahershme, dhe vendimi për t’u larguar kishte ardhur pas diskutimesh të shumta.
“Pakënaqësitë në qeveri nuk janë të reja. Nëse pyesni sot shqiptarët në institucione shtetërore se a janë më mirë tani apo para 2-3 vitesh, 99% do t’ju thonë se sot nuk janë mirë.”
Në fund, ai konfirmoi se ka pasur kontakte me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për mundësinë e ndonjë bashkëpunimi në zgjedhjet lokale.
“Me zotëri Ahmetin kemi biseduar për ndonjë përkrahje të ndërsjellë në zgjedhjet lokale.”





