Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka përshëndetur fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE në zgjedhjet në Republikën e Kosovës, duke e cilësuar atë si fitore plebishitare.
Në një reagim publik, Fetai ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe ekipin e tij për besimin e jashtëzakonshëm dhe plotësisht të merituar që, sipas tij, u dhanë nga populli liridashës i Kosovës.
Ai ka përgëzuar gjithashtu qytetarët dhe institucionet e Kosovës për maturinë e lartë demokratike të treguar gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se ky proces konfirmon nivelin e demokracisë dhe funksionimin institucional në vend.
“Jam i bindur se ky mandat i fuqishëm do të shndërrohet në punë të guximshme, vendime të drejta dhe rezultate të prekshme që do të forcojnë shtetin dhe do të përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Fetai.
Duke folur në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ai ka theksuar se pret me padurim vazhdimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, me synim ndërtimin e një Ballkani më të zhvilluar, më të begatë dhe më të sigurt. (INA)



