Strugë, Tetor 2025 – Qendra për Hulumtime dhe Komunikim Politik (CRPC) ka publikuar rezultatet e anketës më të fundit me qytetarët e Komunës së Strugës, zhvilluar nga 11 deri më 13 tetor 2025, me një mostër prej 395 pjesëmarrësish dhe marzh gabimi ±3.5%.
Sipas rezultateve, Mendi Qyra, kandidat i pavarur, prin me 41.7% të mbështetjes, i ndjekur nga Arsim Dalipi (AKI) me 35.2%, ndërsa kandidatët e tjerë renditen shumë më poshtë. Rreth 18.1% e të anketuarve nuk kanë ende qëndrim të përcaktuar.
Anketa reflekton një garë të ngushtë dhe të polarizuar, por edhe një pakënaqësi të lartë ndaj qeverisjes aktuale lokale.
Mbi 55% e qytetarëve e kanë vlerësuar qeverisjen komunale si “dobët” ose “shumë dobët”, ndërsa vetëm 32.6% kanë dhënë vlerësime pozitive.
Problemet kryesore që shqetësojnë qytetarët janë:
• mungesa e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve (35.5%),
• pastërtia dhe mirëmbajtja e qytetit (24.8%),
• infrastruktura rrugore (18.7%)
• dhe korrupsioni (17.1%).
Në pyetjen mbi nevojën për ndryshim të qeverisjes, 55.2% e qytetarëve janë shprehur “po, patjetër”, duke sinjalizuar një dëshirë të qartë për rotacion politik dhe përmirësime konkrete në shërbimet publike.
Sipas analizës së CRPC, Struga ndodhet në prag të një ndryshimi të mundshëm politik, ku fokusi i qytetarëve është te zgjidhjet praktike dhe transparenca në qeverisje.