Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave i dha dritën jeshile Zepboundit, një ilaç i ri për humbje peshe nga prodhuesi Eli Lilly, i cili tregoi gjatë provave klinike se mund t`i ndihmonte njerëzit të humbisnin më shumë se 23 kilogramë në 16 muaj.
Zepbound është prurja më e fundit në fushën e barnave të reja të fuqishme që synojnë dobësimin, e që përfshin Ozempicun dhe Wegovy të Novo Nordiskut.
FDA e miratoi ilaçin për të rriturit që vuajnë nga obeziteti e duhet të jetë në dispozicion në SHBA deri në fund të vitit me një çmim prej rreth 1060 dollarë. Një kosto e tillë mund të bëjë që ilaçi i ri të jetë jashtë mundësive financiare të shumë njerëzve në SHBA, duke pasur parasysh se kompanitë e sigurimeve shpesh hezitojnë të mbulojnë medikamentet për humbje peshe dhe Medicare, me ligj, nuk i mbulon ato.