Ambasadori i BE-së, Rокas: Pas ndryshimeve kushtetuese, synojmë hapjen e menjëhershme të kapitullit të parë negociues

Advertisement

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, ka deklaruar se synimi i BE-së është që menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe përmbylljes së hapjes së negociatave për anëtarësim, të mbahet edhe një konferencë tjetër ndërqeveritare, me të cilën do të hapej klasteri i parë – “Themelet” njofton INA.

Në një intervistë për emisionin “360 Shkallë” në televizionin MRT 1, Rokas ka bërë të ditur se për hapjen e këtij klasteri duhet të përfundojnë edhe tre dokumente të rëndësishme: udhërrëfyesi për reformën e administratës publike, udhërrëfyesi për sundimin e ligjit dhe Plani i Veprimit për Pakicat.

Sipas tij, puna për këto dokumente është në fazë të avancuar, ndërsa udhërrëfyesi për administratën publike është pothuajse i përfunduar.

Rokas: Maqedonia e Veriut mund të ecë shpejt drejt BE-së

Duke folur për ngecjen e procesit integrues, ambasadori evropian vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka nivel të mirë përgatitjeje dhe përputhje të lartë të legjislacionit me atë të BE-së, por mbetet peng fakti se tashmë 21 vjet është vend kandidat pa i hapur negociatat.

Ai theksoi se mungesa e një udhërrëfyesi me afate konkrete nuk nënkupton largim të vendit nga perspektiva evropiane, por lidhet me faktin se negociatat ende nuk kanë filluar zyrtarisht.

“Jam i bindur se, sapo të plotësohen kushtet dhe të hapen negociatat, Maqedonia e Veriut, mbi të gjitha për shkak të përgatitjes së saj, mund të përparojë me ritëm të shpejtë dhe t’i arrijë vendet e tjera”, deklaroi Rokas.

Për protokollet me Bullgarinë kërkohet zbatim në mirëbesim

Një nga temat kryesore të intervistës ishte edhe çështja e marrëdhënieve me Bullgarinë dhe roli i protokolleve dypalëshe në procesin negociues.

Rokas konfirmoi se protokollet përmenden në Kornizën Negociuese dhe se kërkohet zbatimi në mirëbesim i marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Ai përmendi Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë të vitit 2017 dhe Marrëveshjen e Prespës, duke theksuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit evropian.

I pyetur nëse mosmarrëveshjet në Komisionin e Përbashkët Historik, përfshirë çështjet që lidhen me Goce Dellçevin dhe Kryepeshkopatën e Ohrit, mund të shërbejnë si arsye për një veto të re bullgare, ambasadori tha se nuk dëshiron të spekulojë për qëndrimet e mundshme të një shteti anëtar.

“Historinë gjithmonë mund t’ua lëmë historianëve”, theksoi Rokas, duke shtuar se edhe brenda BE-së ekzistojnë shtete që vazhdojnë të diskutojnë çështje historike edhe pas anëtarësimit.

Ai nënvizoi se komisionet nuk duhet të ekzistojnë vetëm për të zhvilluar diskutime formale, por duhet të bëjnë përpjekje konkrete për të arritur përparim.

BE-ja nuk garanton se nuk do të ketë veto të re

I pyetur nëse Bashkimi Evropian ka mekanizma për të parandaluar një veto të mundshme bullgare, Rokas nuk dha garanci të drejtpërdrejtë, duke theksuar se në procesin e zgjerimit një shtet anëtar mund të paraqesë çështje të paparashikuara.

Ai përmendi edhe zhvillimet mes Kroacisë dhe Malit të Zi, si shembull të vështirësive që mund të shfaqen gjatë negociatave.

Megjithatë, sipas tij, përparimi në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat, së bashku me marrëdhëniet konstruktive me fqinjët, mund të krijojnë kushte për ecjen përpara të vendit.

“Është koha e fundit që të shfrytëzohet kjo mundësi e madhe. Mesazhet e udhëheqjes së BE-së janë shumë të qarta – vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian”, deklaroi ambasadori.

Rreth 40 për qind e vendeve të punës në gjykata janë të paplotësuara

Rokas u ndal edhe te gjendja në sistemin gjyqësor, duke përsëritur kritikat e Komisionit Evropian për financimin e pamjaftueshëm të gjykatave dhe Prokurorisë Publike.

Ai bëri të ditur se të dy institucionet marrin më pak se gjysmën e mjeteve që u takojnë sipas ligjit.

“Gjyqësori merr më pak se gjysmën e asaj që i takon, ndërsa e njëjta vlen edhe për Prokurorinë Publike”, tha Rokas.

Sipas tij, problem shtesë është edhe mungesa e kuadrit, pasi rreth 40 për qind e vendeve të punës në gjykata janë të paplotësuara. Ai theksoi se për funksionimin e një sistemi gjyqësor efikas dhe të pavarur nevojiten financim adekuat dhe plotësim i vendeve të lira mbi bazën e meritës.

Rreth dhjetë masa të reformave janë ende në proces

Ambasadori bëri të ditur se rreth dhjetë masa nga Agjenda e Reformave kanë hyrë në periudhën shtesë të afatit për realizim, ndërsa tri ose katër prej tyre lidhen me sundimin e ligjit.

Ai paralajmëroi se në rastet kur masat vlerësohen si pjesërisht të realizuara, vendi mund të mos përfitojë shumën e plotë të mjeteve të parapara.

Roaming pa tarifa shtesë në BE nga mesi i vitit 2027?

Në pjesën që prek drejtpërdrejt qytetarët, Rokas dha sinjale pozitive edhe për heqjen graduale të tarifave të roamingut me vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, negociatat për rregulloren përkatëse kanë nisur më 6 nëntor dhe procesi po ecën mirë.

Ai vlerësoi se mundësia që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të përdorin telefoninë mobile në BE me çmime të njëjta si në vend mund të realizohet nga mesi i vitit 2027, ose pak më vonë.

Rokas theksoi se kjo do të ishte një tjetër hap konkret drejt integrimit gradual të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun evropian.(INA)

Intervista e plotë e ambasadorit Michalis Rokas është realizuar nga emisioni “360 Shkallë” në MRT 1.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit