Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vendosur kurora lulesh te varri i ish-presidentit Rugova bashkë me presidenten Osmani dhe kolegë nga kori diplomatik.
Hargreaves e ka quajtur Rugovën si arkitekt të pavarësisë së Kosovës.
“Sot, iu bashkova presidentes Vjosa Osmani dhe kolegëve diplomatikë në përkujtimin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit Rugova, duke nderuar trashëgiminë e tij të qëndrueshme si një udhëheqës dhe burrë shteti i shquar. E kujtuam atë si presidentin e parë të Kosovës dhe një vizionar të vërtetë që udhëhoqi vendin dhe popullin e tij nëpër kohë sfiduese. Ai konsiderohet gjerësisht si arkitekti paqësor i pavarësisë së Kosovës, të cilën Mbretëria e Bashkuar është shumë krenare që e ka mbështetur”, shkruan ambasadori në Facebook./Indeksonline/



