Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në paraqitjen e mbrëmshme në emisionin “24 Analiza”, lidhur me projektligjin e ri për mbrojtjen nga duhani, shprehu shqetësim se gjithnjë e më shumë të rinjtë po bëhen të varur nga cigarja.
“Ligjet, vetë në vete, nuk mund të jenë cilësore dhe të japin rezultate nëse nuk keni një ekosistem të tërë. Ligji përcakton kornizën dhe rregulla të rrepta për përmirësimin e ekosistemit në një segment të caktuar. Nga ana tjetër, nëse nuk keni indikatorë shtesë për matjen dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit, do të keni vetëm një ligj në letër. Prandaj, ndoshta ligjet ekzistuese deri më tani, për fat të keq, nuk kanë dhënë rezultate. Ne fillimisht bëmë një analizë të thellë të gjendjes aktuale, e cila tregoi se tek ne rreth 50 për qind e popullsisë është e varur nga cigarja dhe pinë rreth 18–22 cigare në ditë, që do të thotë se në shtet kemi dyfish më shumë duhanpirës krahasuar me standardet evropiane. Kjo është alarmante, sidomos për faktin se ka duhanpirës që nga mosha shumë e re: nga 13–14 vjeç, 7.7 për qind janë duhanpirës aktivë; nga 15–16 vjeç, rreth 37 për qind; ndërsa përdorues të cigareve elektronike janë 40 për qind”, tha ai.
Ministri theksoi se ligji nuk është kundër duhanpirësve, por ideja është që ligji t’i mbrojë duhanpirësit, të cilët përbëjnë rreth 50 për qind të popullsisë, dhe t’i ndihmojë ata të heqin dorë nga duhani.



