Alis, fituesi i edicionit të 64-të të Festivalit të Këngës në RTSH, ishte i ftuari i radhës në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama. Artisti ndau emocionet e konkurrimit në Festival dhe foli për përgatitjet e performancës që do të sjellë në Eurovision.
Alis u shpreh se pjesëmarrja e këtij viti ishte përtej pritshmërive, duke e cilësuar si një eksperiencë krejtësisht ndryshe.
“Unë kam marrë pjesë dy vite në festival, por ky vit ishte përtej pritshmërive dhe ishte edhe eksperienca komplet tjetër sepse materiali na mori përpara dhe fitorja na shijoi ndryshe, na shijoi më tepër. Konkurrenca ishte e fortë, ishin këngë shumë të bukura. Këtë vit më pëlqeu fakti që ishin këngë ndryshe, komplet origjinale,” tha ai.
Fituesi i Festivalit shtoi se skenografia e këtij edicioni ishte një nga elementët më të veçantë, duke e cilësuar si “perlë” produktin final.
Ndërsa për Eurovision, ai paralajmëroi një performancë të amplifikuar, me skenë më të madhe dhe veshje të veçanta.
“Tani është Eurovizioni. Po mendojmë ta amplifikojmë, ta bëjmë anën skenike më të madhe, veshja të jetë diçka e veçantë. Po mundohemi të bëjmë maksimumin, por në një formë tjetër. Dëshira ime është të provoj edhe përtej kufijve dhe rasti i Eurovizioni është ëndrra e bërë realitet për ta prekur atë që kisha shpresuar,” u shpreh Alis.
Alis do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion me këngën “Nan”, teksa edicioni i këtij viti do të mbahet në Vjenë të Austrisë./rtsh



