Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar sot duke shprehur mbështetje të plotë për bashkëkombësit që po protestojnë në Strasburg, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, aty ku – sipas tij – “filloi padrejtësia e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar”.
Ahmeti theksoi se gjykata “nuk po gjykon mbi atë për të cilën u themelua”, por mbi “shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia”. Ai nënvizoi se figurat kryesore të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe të tjerët – janë “aleatë të SHBA-së dhe BE-së” dhe se vendin e tyre e kanë në Kosovë.
Sipas tij, pafajësia e tyre është konfirmuar nga aleatët perëndimorë në Hagë, ndaj ai kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre.
“Padrejtësia duhet të marrë fund menjëherë. I gjithë populli shqiptar është në këmbë për drejtësi për shenjtërinë e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Ahmeti.





