Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, së bashku me udhëheqësin e Sektorit për Arsim, Xhemi Hajredini, dhe shefen e Kabinetit, Shefkie Alasani Dika, realizuan një takim pune me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, drejtoreshën e çerdhes dhe drejtorin e Konviktit të nxënësve.
Në një atmosferë të hapur dhe transparente, u diskutua gjerësisht për gjendjen reale në institucionet arsimore të komunës. Drejtorët ngritën shqetësime serioze që lidhen me borxhet e akumuluara, problemet me ngrohjen gjatë sezonit dimëror, mungesën e transportit adekuat për nxënësit, infrastrukturën e amortizuar, si dhe rënien alarmante të numrit të nxënësve në shkolla.
Këto problematika u vendosën në qendër të bisedimeve me synimin për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe afatgjata, që do të përmirësojnë kushtet për mësim dhe punë. Në këtë kontekst, u paralajmërua edhe fillimi i procesit të optimizimit të shkollave, i cili shihet si një hap strategjik për menaxhim më efikas të resurseve dhe stabilizim të sistemit arsimor në nivel lokal.
Nga Komuna e Strugës u theksua se mbetet e përkushtuar në zgjidhjen sistematike të sfidave në arsim, përmes dialogut të vazhdueshëm, transparencës dhe bashkëpunimit me të gjitha palët e përfshira, me qëllim krijimin e kushteve më cilësore për nxënësit dhe stafin arsimor.




