26.8 C
Skopje
Tuesday, September 16, 2025

Alarm në Llojan dhe Vaksincë: Arsen në ujë pesë herë mbi normën e lejuar

Instituti i Shëndetit Publik (IShP) ka konfirmuar nivele alarmante të arsenit në mostrat e ujit të marra nga puset në fshatrat Llojan dhe Vaksincë të komunës së Likovës. Në njërën nga mostrat, përqindja e arsenit ka arritur në 47.73 mikrogramë për litër, gati pesëfish më shumë se kufiri i lejuar ndërkombëtar.

Rezultatet u prezantuan sot nga Nexhmedin Sadiku, kandidat i koalicionit VLEN për komunën e Likovës, i cili tha se analizat janë bërë pas ankesave të banorëve për ndotjen e ujit dhe dyshimeve për përmbajtje të metaleve të rënda.

Sadiku akuzoi komunën e Likovës për mosveprim dhe neglizhencë, duke theksuar se institucionet lokale nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të parandaluar, siç u shpreh ai, “helmimin e qytetarëve”.

“Arseni është një substancë tepër toksike, që përdoret në prodhimin e pesticideve dhe gjithashtu si helm. Uji që po konsumojnë banorët e Llojanit është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin e njeriut,” deklaroi Sadiku.

Ai shtoi se, sipas ekspertëve të shëndetit publik, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj arsenit të lartë mund të shkaktojë kancer në mushkëri, lëkurë, fshikëz dhe veshka, si dhe sëmundje të zemrës, diabet, çrregullime neurologjike dhe probleme serioze në zhvillimin e fëmijëve.

Sadiku i bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë urgjentisht dhe të sigurojnë ujë të sigurt për banorët e zonës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit