4.8 C
Skopje
Thursday, December 18, 2025

Aksion policor në Shkup dhe Kumanovë, dyshohet për krime financiare dhe ekonomike

Nën drejtimin e Prokurorisë Publike, policia që mbrëmë po zhvillon aksione në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë. Operacioni lidhet me dyshime të arsyeshme për krime financiare dhe ekonomike. Prokuroria njofton se detaje shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të aktiviteteve në terren, transmeton Portalb.mk.

“Nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë, zyrtarë policie nga Departamenti për shtypjen e krimit të organizuar dhe të krimit të rëndë pranë Byrosë së Sigurisë Publike – Ministria e Punëve të Brendshme që nga mbrëmë kryen aktivitete në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë, për shkak të ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm për krime me natyrë financiare dhe ekonomike. Më shumë detaje do të ndahen pas përfundimit të aktiviteteve në terren”, thonë nga Prokuroria.

Jozyrtarisht raportohet se gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në valuta të ndryshme, telefona celularë, laptopë, hard-disqe, si dhe dokumentacion tjetër përkatës.

Raportohet gjithashtu se në aksion janë arrestuar mbi dhjetë persona, midis të cilëve një ish-drejtor, person i afërt me strukturat e BDI-së. Megjithatë, këto informacione nuk janë zyrtare dhe pritet që në orët në vijim të jepen detaje nga institucionet përkatëse.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit