Një skandal i rëndë financiar ka tronditur qytetin e Tetovës. Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Tetovë (SPB Tetovë) ka ngritur kallëzime penale për mashtrim dhe dhënie të dëshmisë së rreme kundër dy kompanive transporti dhe personave përgjegjës të tyre. Sipas burimeve, kompanitë dyshohet se kanë lidhje me strukturat financiare të partisë BDI.
Sipas burimeve nga SPB Tetovë, thuhet se kompanitë e përfshira janë HAG BUS dhe Fer Atomic. Këto dyshohet se kanë dorëzuar fatura të rreme për transport të nxënësve në Komunën e Tetovës, edhe pse kontratat e tyre kishin skaduar dhe shërbimi nuk ishte kryer.
Policia njofton se gjatë muajve shtator dhe tetor 2024, faturat pa bazë ligjore kapin vlerën totale mbi 17 milionë denarë, me qëllim për të përfituar pagesë nga institucionet arsimore. Kur shkollat refuzuan pagesën, kompanitë tentuan arkëtimin përmes noterit dhe përmbaruesit, duke dhënë edhe deklarata të rreme, çka çoi në përfshirjen e Policisë dhe Prokurorisë.
SPB Tetovë konfirmon se kallëzime janë ngritur kundër:
M.Z. (46) nga Tetova dhe një ndërmarrjeje transporti nga Tetova
Ќ.F. (59) nga fshati Shemshovë dhe një personi juridik nga i njëjti fshat
Veprat penale për të cilat po hetohet janë: mashtrim dhe dhënie e dëshmisë së rreme.
Dyshime për financim politik
Burime jozyrtare bëjnë me dije se kompanitë dyshohet se janë financuese të BDI-së, kanë kthyer para cash pas shitjes së autobusëve dhe kanë dorëzuar deklarata tatimore të rreme. Hetimet e institucioneve përfshijnë edhe rrjedhën e parave dhe lidhjet e mundshme politike.
Komuna e Tetovës denoncoi e para
Komuna e Tetovës kishte dorëzuar më herët kallëzim ndaj kompanive, pasi ato tentuan të arkëtonin mjete për shërbime që nuk i kishin kryer fare.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa publiku pret përgjegjësi penale dhe zbardhje të plotë të rrjetit financiar-politik pas këtij skandali.





