Këshilltarët e AKI-së, LSDM-së dhe të ashtuquajturës “Lista Merko”, sot u rreshtuan hapur në një bllok të përbashkët politik, duke bojkotuar me vetëdije seancën e Këshillit Komunal të Strugës, me qëllim të vetëm: bllokimin e punës së Këshillit dhe paralizimin e institucionit më të rëndësishëm për funksionimin e Komunës.
Ky koalicion i errët AKI–LSDM–Lista Merko u shfaq pikërisht në momentin kur duhej të zgjidhej kryetari i Këshillit Komunal, një hap vendimtar për normalizimin e punës institucionale. Në vend që të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë në interes të qytetarëve, këto subjekte zgjodhën bojkotin, pazaret politike dhe kaosin institucional.
Qëllimi i këtij koalicioni në hije nuk është thjesht bllokimi i Këshillit Komunal, por mbajtja peng e të gjithë Komunës së Strugës. Kjo u dëshmua qartë nga fakti se këshilltarët në fjalë nuk qëndruan në sallë as për të debatuar pikat e tjera të rendit të ditës, përfshirë Buxhetin komunal dhe vendime të rëndësishme zhvillimore, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Këto veprime janë dëshmi e një politike destruktive, ku interesat personale dhe partiake vendosen mbi interesin publik, duke e shndërruar Këshillin Komunal në mjet bllokade dhe jo në institucion shërbimi për qytetarët e Strugës.





