Shkup, 19 dhjetor – Ajten Ademi Avduramani, farmaciste e diplomuar në vitin 2011 në Fakultetin e Farmacisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ka shënuar një sukses të rëndësishëm profesional dhe akademik me mbrojtjen e punimit të saj specialistik.
Që nga viti 2015, ajo është e punësuar në Agjencinë për Barna dhe Pajisje Mjekësore, në Sektorin për vlerësimin e dokumentacionit për dhënien e autorizimit për vendosjen e barnave në treg, ku kontribuon në vlerësimin e dosjeve për autorizim, rinovim dhe ndryshim të autorizimeve. Për më shumë se gjashtë vite, Ajten Ademi Avduramani është aktive edhe në punën e Komisionit për Barna për Përdorim Human dhe Komisionit për Studime Klinike të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm në forcimin e sistemit rregullator farmaceutik.

“Roli i sistemit të farmakovigjilencës në monitorimin e sigurisë së barnave që përdoren jashtë autorizimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut te popullata pediatrike” u paraqit në dhjetor të vitit 2024 dhe u miratua nga Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Farmacisë më 30.12.2024. Për mentore u caktua prof. dr. Zorica Naumovska, ndërsa u formua edhe Komisioni Recensues për vlerësimin e punimit.
Titulli i temës së miratuar u publikua në Buletinin nr. 1323 më 01.02.2025. Pas përfundimit të punimit, më 11.11.2025 Këshilli Mësimor-Shkencor pranoi raportin pozitiv të Komisionit Recensues dhe caktoi datën për mbrojtje publike. Mbrojtja u mbajt më 16.12.2025, në prani të përfaqësuesve të rrethit akademik dhe profesional farmaceutik.
Ky punim përbën një risi të rëndësishme për Fakultetin e Farmacisë, pasi për herë të parë trajtohet në mënyrë të thelluar një temë kaq e ndjeshme dhe aktuale, me fokus të veçantë në sigurinë e barnave te popullata pediatrike. Angazhimi profesional dhe shkencor i Ajten Ademi Avduramani përfaqëson një kontribut të vlefshëm në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.





