Ohri dhe Struga kanë filluar t’i ngjajnë Shkupit, i cili mbetet në krye të listës së qyteteve më të ndotura në Evropë dhe në botë. Ndryshe nga koha kur qytetarët shkonin për të thithur ajër të pastër, tani edhe Ohri dhe Struga thyejnë rekorde për ajrin e ndotur, thuajse çdo mbrëmje kundërmon era e tymit. Nga iniciativa qytetare “Ohri po mbytet” thonë se gjendja është alarmante dhe se Ohri shpesh është qyteti më i ndotur në rajon, ndonëse është qytet pa industri të zhvilluar, pa transport publik urban dhe pa termocentrale. Sipas tyre, matjet e fundit tregojnë rritje mbi 10 deri në 20 herë më shumë të grimcave PM2.5 dhe PM10 në ajër.
„Qytet me ndërtime pa leje, qytet me numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit për kokë banori. Ohri po shkatërrohet. Përgjigje nuk ka askund. Arsyeja e vetme pse ky numër i vogël njerëzish kishte mbetur në Ohër, ishte ajri i pastër“, thonë nga “Ohri frymon” – iniciativë qytetare.
Mjekët thonë se vitet e fundit numri i pacientëve me sëmundje të organeve të frymëmarrjes është rritur për më shumë se 5 herë.
„Shumë shpesh kemi pacientë me probleme kronike të mushkërive, të cilat më parë nuk i kishim, ndërsa fatkeqësisht tani i kemi shumë. Kemi rritje të madhe si te fëmijët ashtu edhe te popullata e rritur. Tani, kur ajri është i ndotur, në vend që t’u themi hapni derën ose dritaren për t’u pastruar ajri, ne u themi t’i mbyllin, që këto grimca të dëmshme të mos hyjnë dhe të mos e përkeqësojnë gjendjen“, tha Violeta Mickoska – mjeke.
Analizat që gjatë vitit 2024 i ka realizuar Drejtoria komunale për mbrojtjen e mjedisit jetësor pranë Komunës së Ohrit janë tronditëse dhe shqetësuese. Sipas tyre, në Ohër mesatarisht humbin jetën 133 persona në vit si pasojë e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur. Ekspertët vlerësojnë se një nga arsyet për këtë është edhe urbanizimi i tepruar.
„Ata që janë pak më të moshuar e kujtojnë se kjo ndodhte edhe më parë, por sidomos që nga fillimi i ndërtimit të pa-planifikuar të ndërtesave të larta. Këto ndërtesa, të projektuar dhe të ndërtuara në rreshtin e parë, më afër Liqenit të Ohrit, pengojnë lëvizjen e ajrit që arrinte deri te qyteti dhe lagjet urbane. Nga veriu, nga deponia Bukovë, vjen ajri i ndotur, tymi, që pozicionohen mbi qytetin e Ohrit, dhe kështu për njerëzit frymëmarrja bëhet shumë më e vështirë“, u shpreh Trajçe Taleski – aktivist .
Por autoritetet thonë se trafiku, përdorimi i llojeve të ndryshme të karburanteve dhe druri i ngrohjes janë shkaktarët kryesorë të ndotjes, veçanërisht gjatë dimrit. Autoritetet komunale theksojnë se po ndërmarrin të gjitha masat përmes kontrollit të ndërtimit, mbikëqyrjes së instalimeve që ndotin, si dhe kontrollit të individëve që djegin materiale jo të përshtatshme.





