Ahmeti takon Ambasadorin e Spanjës: Integrimi në BE mbetet rrugë pa alternativë për Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim miqësor me Ambasadorin e Spanjës në vend, Rafael Soriano Ortiz, në frymën e dialogut të hapur dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve.
Gjatë takimit u diskutua për orientimin strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe sfidat që lidhen me stabilitetin afatgjatë politik dhe institucional. Ahmeti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si garanci të paqes, bashkëjetesës dhe funksionimit demokratik të shtetit multietnik.
Në këtë kontekst, ai nënvizoi se rruga euroatlantike e vendit mbetet një zgjedhje e qartë dhe pa alternativë, e mbështetur nga vullneti politik dhe aspirata qytetare për anëtarësim në familjen evropiane. Sipas Ahmetit, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektiv madhor shtetëror që kërkon unitet të brendshëm, thellim të reformave dhe përgjegjësi të përbashkët politike.
Ai theksoi se përshpejtimi i procesit integrues është thelbësor për forcimin e stabilitetit institucional, zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe konsolidimin e demokracisë në vend.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit