Ali Ahmeti sot nga Shkupi bëri thirrje që të shpallen të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, si dhe ushtarë tjerë që akuzohen nga Gjykata e Hagës. Ahmeti në fjalimin e tij nga sheshi “Skënderbeu”, tha se ish-krerët e UÇK-së akuzohet për vepra që asnjëherë nuk i kanë bërë, duke thënë se kanë luftuar për lirinë e popullit.
Ahmeti gjithashtu tha se Gjykata e Hagës duhet t’u jep mirënjohje e lëvdatë ish-krerëve të UÇK-së, e jo t’i dënojë.
“UÇK dënonte çdo veprim fashist dhe veprim kundër popullatës civile. UÇK e shpalli veten ushtri e popullit që lufton për lirinë e popullit të vet. Është e vërtetë e madhe që objektivin e madh nuk e arritëm për të ndërtuar hierarki, prandaj nuk do të donim që akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuzat që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale të njollosin historinë e luftës çlirimtare”.
“Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen pas grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Gjithë procesin e kemi përcjellë dhe na dridhej lëkura kur dëgjonim akuza që neve na i kishte bërë Beogradi dhe Moska, si kriminel e banditë. Ne e kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popuj tjerëve”, tha Ahmeti.
Ai gjithashtu theksoi se protesta e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë, duke shtuar se ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë kanë kontribuar për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.
Ai poashtu përmendi dëshmitë e gjeneralit Wesley Clark, James Rubin dhe Christofer Hill, për të cilët shprehi mirënjohje
“Jemi mirënjohës ndaj dëshmisë së gjeneralit Clark, mirënjohës ndaj James Rubin, si dhe ambasadorit që punoi shumë në rajon për paqe dhe stabilitet Christofer Hill”, tha Ahmeti.





