Ahmeti për 25-vjetorin e Lubotenit: Kujtimi i viktimave na obligon të mbrojmë paqen

Advertisement

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar viktimat e ngjarjeve të Lubotenit, në 25-vjetorin e tragjedisë së 12 gushtit 2001.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka thënë se kujtimi i viktimave është i rëndësishëm për të mos lejuar që ngjarje të tilla tragjike të përsëriten.

“Plagët e historisë nuk mbyllen duke i harruar, por duke i kujtuar me dinjitet dhe duke mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten”, ka shkruar Ahmeti.

Ai e ka cilësuar Lubotenin si një nga plagët më të rënda të vitit 2001, duke kujtuar se më 12 gusht të atij viti humbën jetën dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe një fëmijë gjashtëvjeçar.

“Një çerek shekulli më vonë, kujtimi i tyre na obligon të mbrojmë me vendosmëri paqen, barazinë dhe dinjitetin kombëtar”, ka theksuar kreu i BDI-së.

Në fund, Ahmeti ka shprehur nderimin e tij për viktimat e Lubotenit, duke shkruar: “Sot nderojmë viktimat e pafajshme të Lubotenit. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit