Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kujtuar sot 45 vjetorin e demostratave të vitit 1981 në Prishtinë duke shënuar se “Brezi i vitit 1981 mbetet një brez i veçantë në historinë tonë kombëtare”, shkruan Top24

 

 

 

Ali Ahmeti
11 Marsi është një datë që nuk i përket vetëm historisë, por edhe ndërgjegjes sonë kombëtare. Sot shënojmë 45 vjetorin e demonstratave të fuqishme studentore të vitit 1981, pranverës së madhe të rezistencës shqiptare.
Ato ditë të marsit nuk ishin vetëm protesta studentësh. Ishin zëri i një populli të tërë që kërkonte dinjitet, barazi dhe të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet. Nga auditorët e universitetit në Prishtinë u ngrit një thirrje që do të përhapej në të gjitha trojet shqiptare, duke zgjuar vetëdijen politike dhe duke hapur një proces të pandalshëm drejt lirisë.
Brezi i vitit 1981 mbetet një brez i veçantë në historinë tonë kombëtare. Ai brez nuk e ndërpreu kurrë rrugëtimin e tij, nga demonstratat, në organizimet kundër regjimit, e deri tek luftërat çlirimtare që sollën kthesën historike për popullin shqiptar.
Historia na mëson se liria nuk vjen rastësisht. Ajo lind nga guximi, nga sakrifica dhe nga besimi i palëkundur se e drejta duhet të triumfojë. Demonstratat e 11 marsit 1981 dëshmuan pikërisht këtë: se një brez i tërë ishte i gatshëm të sakrifikojë për një të ardhme më të drejtë për kombin e vet.
Sot, me krenari dhe respekt të thellë për ata që u ngritën në atë pranverë historike, kujtojmë se rruga që nisën studentët e vitit 1981 vazhdoi deri tek liria e Kosovës dhe ndryshimet rrënjësore të statusit politik të shqiptarëve në rajon.
Ne sot jemi më mirë se dje, por përgjegjësia jonë është që nesër të jemi edhe më mirë, duke ruajtur idealet për të cilat u ngritën ata studentë: dinjitetin, barazinë dhe orientimin tonë të palëkundur drejt vlerave euroatlantike.
Lavdi dhe mirënjohje brezit të pranverës së vitit 1981.