0.8 C
Skopje
Sunday, December 21, 2025

Ahmeti: Ja çfarë dëshmoi kongresi i V-të i BDI-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se Kongresi i Pestë i partisë shënoi një moment të rëndësishëm reformues, duke dëshmuar pjekuri politike, përgjegjësi dhe guxim për ndryshim.

Sipas Ahmetit, BDI ka zgjedhur të reformohet thellë, jo për arsye formale, por për të ndërtuar të ardhmen e saj politike. Ai theksoi se përmes ndryshimeve thelbësore në strukturë, përbërje dhe aktet themelore, partia ka arritur të rinovohet pa e humbur boshtin ideologjik dhe politik.

Ahmeti shprehu mirënjohje për besimin dhe rikonfirmimin e tij si kryetar i BDI-së, duke vlerësuar angazhimin e delegatëve dhe strukturave partiake.

Ai nënvizoi se mbi 60 për qind e përbërjes së Këshillit të Përgjithshëm tashmë përbëhet nga anëtarë të rinj, përqindje që reflektohet edhe në Kryesinë e këtij këshilli. Po ashtu, sipas tij, është rritur ndjeshëm përfaqësimi i grave, nga 5 në përbërjen e kaluar në 10 në përbërjen e re, ndërsa për herë të parë janë përfshirë edhe tre të rinj nën moshën 29 vjeç në Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm.

Ahmeti theksoi se iniciatorët e reformës janë pikërisht ata që, me dinjitet, ia kanë lëshuar vendin brezit të ri, duke krijuar hapësirë për një gjeneratë të re të gatshme të marrë përgjegjësi.

Në përfundim, lideri i BDI-së deklaroi se partia mbetet një forcë politike stabile dhe reformuese, e përgatitur për sfidat e ardhshme, me ide dhe energji të reja, por gjithmonë besnike ndaj misionit për përfaqësim dinjitoz, barazi dhe zhvillim demokratik.

Ai falënderoi delegatët, strukturat dhe anëtarësinë për, siç u shpreh, hapjen e një kapitulli të ri të rëndësishëm për BDI-në, duke përfunduar me mesazhin: “Vazhdojmë bashkë”. (INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit