12.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Agim Vinca: Kadare është Emblemë e Kulturës Kombëtare

 

Është nder dhe kënaqësi e veçantë, por edhe përgjegjësi e shkallës më të lartë, të flasësh – para një auditori të nderuar, siç jeni Ju dhe në një ceremoni solemne, siç është kjo – për jetën dhe veprimtarinë e protagonistit të kësaj ceremonie, shkrimtarit të madh bashkëkohor shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit ka marrë tashmë, në kulturën shqiptare, ashtu sikurse vepra e Naim Frashërit dikur, përmasat e një bible nacionale.

Në auditoret e këtij Universiteti dhe veçanërisht të Fakultetit në të cilin ndodhemi emri i tij shqiptohet çdo ditë, kurse veprat e tij lexohen e komentohen gjerësisht; idetë e tij kanë qenë për ne dhe vazhdojnë të jenë ende, në masë të madhe, udhërrëfyese në kohë e në hapësirë, ndërsa arti i tij tregues i nivelit dhe i pjekurisë sonë shpirtërore dhe intelektuale.

Ne që punojmë dhe studiojmë në Universitetin e Prishtinës, të rinj e të moshuar, studentë dhe profesorë, poetë dhe shkencëtarë, nuk mund t’i harrojmë vargjet që laureati ynë i sotëm i shkroi në mbrojtje të atyre që në vitin e madh 1981 u ngritën të kërkonin të drejtat e tyre; të kërkonin të bëheshin njerëz të lirë e të barabartë me të tjerët:

U ngritët ju, viganë, fisnikë

Me korrektesë e madhështi

Ngaqë kërkuat republikë

U shtypët si në monarki.

Ne që punojmë e studiojmë në këtë institucion të lartë shkencor që quhet Universitet i Prishtinës, aq të dashur e të çmuar për ne e të urrejtur aq shumë nga ata që urrejtjen e patën shpallur ideologji të vetën, nuk mund ta harrojmë novelën Krushqit janë të ngrirë, personazhi më mbresëlënës i së cilës, studenti Shpend Brezftohti, bie i masakruar nga dhuna policore në demonstratat e studentëve të Kosovës, që kërkonin, në mënyrë të qetë e paqësore, avancimin e statusit politik të saj në shkallë të Republikës, e aq më pak veprën Bisedë përmes grilash, hero i së cilës është jo një personazh fiktiv, por një personazh real, profesori i këtij Universiteti, politikologu i shquar Ukshin Hoti, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë as sot e kësaj dite, edhe pse kanë kaluar më se katër vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Në këtë çast solemn, kur shkrimtari ynë i madh, autori i më se pesëdhjetë veprave letrare të zhanreve të ndryshme dhe i adhuruari i mijëra e miliona lexuesve anembanë botës, ndodhet në mesin tonë, për të marrë titullin e merituar “doctor honoris causa”, nuk mund të anashkalojmë as triptikun e njohur Tri këngë zie për Kosovën, që flet për fatin tragjik të Kosovës, të cilën autori e konsideron me të drejtë pjesë të pandashme të Shqipërisë, as poezinë Mundja e ballkanasve nga turqit…, që çmistifikon mitin serb mbi “betejën e Kosovës”, ndërkohë që burimet relevante

historike flasin për një luftë të përbashkët të “koalicionit ballkanik”, as poezinë Terrori në Kosovë, ku, sikurse edhe te Krushqit e ngrirë, shfaqet fytyra e krimit të ricikluar në shekuj, as tregimin Baladë për vdekjen e J. G., që evokon jetën dhe vdekjen e veprimtarit të lëvizjes kombëtare të Kosovës, Jusuf Gërvallës, i cili ishte njëherësh edhe një krijues i hollë e subtil dhe sa e sa krijime të tjera në poezi e prozë, që trajtojnë temën e Kosovës, sepse Kadareja dhe Kosova, siç është thënë edhe në një rast tjetër (në promovimin e librit Ra ky mort e u pamë në vitin 1999), janë një binom i pandashëm.

Nuk do mend se tema e Kosovës dhe preokupimi me fatin e saj, paraqet një segment të rëndësishëm të veprës së gjerë e shumëdimensionale të Ismail Kadaresë, porse unë jam këtu për të thënë diç, aq sa më lejon koha që më është dhënë në dispozicion, për opusin letrar kadarean dhe, natyrisht, edhe për personalitetin e tij si njeri dhe krijues në përgjithësi.

I vetëdijshëm se veprimtaria e Ismail Kadaresë dhe sidomos vepra e tij letrare është aq e madhe dhe aq e gjerë sa që për të mund të flitet me orë të tëra, më lejoni që, me këtë rast, të mjaftohem me disa vlerësime e konsiderata të përgjithshme.

Vepra letrare e Kadaresë është e madhe si vëllim dhe e madhe si vlerë. Ajo përbëhet nga disa vëllime me poezi, që i takojnë kryesisht fazës së parë të krjimtarisë së tij, asaj të viteve ’60; nga dhjetëra vëllime me tregime, novela e romane që trajtojnë një gamë të gjerë temash e subjektesh dhe ofrojnë një galeri të tërë personazhesh; nga mbi dhjetë vepra eseistike, që ngrenë probleme të rëndësishme letrare, kulturore, politike e shoqërore; nga një dramë me subjekt nga mitologjia antike, ku, brenda kornizës mitike, strukturohen gjedhe të gjithkohshme ekzistenciale e historike; nga dy-tri vepra për fëmijë, ndonjëra prej të cilave paraqet vlerë kulmore në këtë degë të letërsisë dhe nga shumë tekste të tjera të shkruara në formë ditarësh, kujtimesh, intervistash, letrash e polemikash, të cilat në instancën e fundit kanë karakter homogjen dhe rrahin në një pikë: te shqetësimi i përhershëm i shkrimtarit për fatin e Atdheut dhe te ideja e lirisë si vlera më sublime e jetës njerëzore. Nuk është e rastit që një numër i madh i veprave të Kadaresë (Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh etj.), shfaqen në dy e më shumë variante, që shumë motive e ide rimerren nga një vepër tek tjetra, që disa personazhe dalin në dy e më shumë romane etj., gjë që ta kujton atë mendimin e njohur se krijuesite mëdhenj krijojnë gjatë tërë jetës një vepër të vetme.

 

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit