Shkup, 24 shkurt –Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit mori çmimin për cilësinë e shërbimeve të aeroportit (ASQ) për vitin 2025 “Përvoja më e këndshme në aeroport në Evropë” nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI).
Koncesionari TAV Maqedonia sot njoftoi se çmimi që Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit e merr për herën e 11-të është një mirënjohje tjetër nga pasagjerët që plotësuan sondazhet për kënaqësinë ndaj cilësisë së shërbimeve të aeroportit, përmes këtyre anketave matën treguesit kryesorë si efikasiteti i regjistrimit të pasagjerëve dhe bagazheve, kontrolli i sigurisë, orientimi brenda aeroportit, si dhe lehtësinë e përgjithshme të lëvizjes nëpër aeroport.
“Kjo mirënjohje për herën e 11-të tregon qëndrueshmërinë e përsosmërisë sonë operative dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm ndaj shërbimeve cilësore të aeroportit. Në vitin 2025, gjithashtu, arritëm një sukses historik duke shërbyer mbi 3 milion pasagjerë – gjë që e bën këtë arritje edhe më të rëndësishme. Ky çmim, i bazuar plotësisht në reagimet e udhëtarëve përmes programit të cilësisë së shërbimeve të aeroportit, konfirmon fokusin tonë strategjik në efikasitet, siguri dhe përvojën e pasagjerëve”, tha në një deklaratë të shkruar Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedonia.

Sipas Xhastin Erbaçi, drejtor i përgjithshëm i ACI World, marrja e çmimit ASQ për cilësinë e shërbimeve të aeroportit nga ACI konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit për të dëgjuar pasagjerët e tij. “Kjo mirënjohje pasqyron përpjekjen tuaj për përmirësim të vazhdueshëm dhe sigurimin e një përvoje të jashtëzakonshme për të gjithë pasagjerët”, thekson Erbaçi.



