Në një reagim të në facebook, Adnan Azizi ka kritikuar ashpër Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë parti për politika të stërkonsumuara dhe për trajtimin e shqiptarëve si numra statistikore, që përdoren vetëm për kalkulime pushteti dhe interesa personale.
“Janë aq qyqarë sa në çdo fjalë e demantojnë vetveten,” shkruan Azizi, duke e quajtur fytyrën politike të BDI-së si anti-shqiptare dhe të dëmshme për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet e shtetit.
Ai vë në pah hipokrizinë e BDI-së, që sipas tij, e ka përdorur gjuhën shqipe si mjet për propagandë, por pa arritur kurrë ta zbatojë siç duhet, madje as sipas përqindjeve që vetë ata i përdorin si mburojë politike.
Azizi thekson se koha kur shqiptarët trajtoheshin si mjete për punësime familjare dhe pazare politike ka përfunduar:
“Përfaqësimi i shqiptarëve nuk do të jetë më me numra, por me zgjidhje ligjore të paabrogueshme!”
Duke e përmbyllur reagimin me tone të ashpra, Azizi paralajmëron se misioni politik i BDI-së është drejt fundit:
“Shqiptarët po vendosen aty ku e kanë vendin – në themele të shtetit. Ju do të përfundoni në histori, por fatkeqësisht si tradhtarë!”





