Shkup, 5 shkurt – Qeveria e ka pranuar kërkesën e AOJSHQ, megjithatë jo në tërësi, por është e rëndësishme që u pranua që të paguhen shtesat e pagave për punonjësit në administratën shtetërore dhe në gjyqësor, deklaroi kryetari i sindikatës, Tërpe Deanovski, pas takimit të sotëm me kryeministrin Kristian Mickoski dhe përfaqësuesit qeveritarë.
“Siç paralajmëruam vitin e kaluar, do të paguhen në disa vite, në 3 këste, nga 8 për qind, për fat të keq jo 10 për qind. Do ta përsëris, për fat të keq, nuk i morëm vitin e kaluar, por Qeveria ka rënë dakord t’i paguajë që tani, duke filluar nga marsi, përmes një metode në të cilën të gjitha institucionet nga administrata shtetërore dhe gjyqësori, domethënë gjykatat, prokuroritë… do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për të marrë këtë të drejtë”, tha Deaenovski.
Shpjegoi se që kjo të realizohet, duhet të përgatitet teksti i këtyre marrëveshjeve kolektive së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë dhe sindikatës. Më pas, marrëveshjet duhet të hidhen në votim para organeve dhe trupave të sindikatës.
Ai theksoi se nëse anëtarët i pranojnë marrëveshjet, do të mund të vazhdojnë menjëherë me nënshkrimin e tyre.
“Nëse nuk pranojnë, Qeveria do të marrë përgjigjen tonë se një vit është humbur tashmë, dhe punëtorët mund të kërkojnë shuma më të larta se ato që ofrohen aktualisht, dhe do të shohim nëse do të ketë kusht nga Qeveria për të hequr dorë nga diçka tjetër”, tha Deanovski.
Ndërkohë, AOJSHQ përmes kumtesës informoi se sot në orën 15:30 do të thirret një takim i organeve për t’u informuar rreth situatës së re.
“Rritja e pagave për të gjithë punonjësit në administratë dhe gjyqësor është më e madhe se rritja e parashikuar tashmë nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik si një e drejtë më e favorshme për punonjësit, Përveç kësaj, në llogaritjen e pagave të punonjësve, si komponent e pagës mbeet paga minimale, e lufta për rritjen e pagës minimale për të gjithë punëtorët vazhdon derisa ajo të rritet, dhe me të edhe rritja e pagave të të gjithë punëtorëve që kanë pagën minimale në llogaritjen e pagës së tyre. Pagat në njësitë e vetëqeverisjes lokale mund të rriten përmes lidhjes së marrëveshjeve kolektive individuale”, qëndron në kumtesën e AOJSHQ-së.
Takimi i sotëm pasoi pasi kryeministri bëri një ofertë për rritje të pagave, të cilën AOJSHQ-ja e konfirmoi si të pranueshme dhe për të cilën do të diskutohet më tej brenda strukturave sindikale.
Mickoski, duke iu përgjigjur dje pyetjeve të gazetarëve në lidhje me diskutimet aktuale për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave për punonjësit e administratës publike me përfaqësuesit e sindikatave, tha se Qeveria ka formulën e vet për llogaritjen e pagave të punonjësve të administratës.
“Shumica e përfaqësuesve të sindikatave, si përfaqësuese ashtu edhe të degëve, pajtohen me qëndrimin e Qeverisë, me disa përjashtime. Formula që ofron Qeveria lidhur me mënyrën se si do të realizohet rritja e pagave të administratës, do të nënkuptojë rritje graduale të të ardhurave për ta, dhe jo vetem për aq mjete sa do të rritet paga minimale.



