Përmes Viber-it dhe WhatsApp-it, kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, i ka dhënë informacione konfidenciale ish-drejtorit të TEC Negotinë, Nebojsha Stojanoviq, nga procedurat që i kishin ndërmarrë antikorrupsionarët kundër tij për rastin “Aditivët”.
Gjatë një periudhe prej tetë muajsh, përmes shkëmbimit të mesazheve, Stojanoviq ka marrë informacione nga Dimitrovska lidhur me procedurat për këtë rast që zhvilloheshin edhe ndaj personave të afërt me të, si dhe për të dhënat që Antikorrupsioni i kishte mbledhur gjatë kontrollit të pasurisë me të cilën dispononte ai dhe familja e tij. Për shkak të gjithë kësaj, Prokuroria e dyshon atë për dhënie të sekretit zyrtar, dhe siç qëndron në Kodin Penal, Dimitrovskës për këtë vepër penale i kërcënohet dënim me burg prej tre muajsh deri në maksimum pesë vjet. Gjykata ja ka konfiskuar pasaportën, ndërsa Dimitrovskës i ishte caktuar edhe ndalesë për të ushtruar funksion në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Dimitrovska ishte zgjedhur si kryetare e përbërjes së re të antikorrupsionerëve, nga ku pritej të kontribuonte në rikthimin e besimit në sistemin gjyqësor. Dimitrovska në këtë pozitë erdhi pasi paraprakisht kishte punuar 19 vite në Entin Shtetëror të Revizionit, prej të cilave dy vitet e fundit ishte edhe asistente e revizorit kryesor. Për kryetare të Komisionit Kundër Korrupsion, Dimitrovska u zgjodh pasi mori numrin maksimal të pikëve nga deputetët e VMRO-së, LSDM-së, BDI-së dhe Lëvizjes Demokratike, të cilët ishin pjesë e Komisionit parlamentar për përzgjedhjen e kandidatëve. Ajo mori 100 pikë nga deputetët, por vetëm nga 20 pikë nga anëtarët e sektorit civil, të cilët gjithashtu ishin pjesë e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve. Sektori civil atëherë doli me mendim të ndarë, duke theksuar se Dimitrovska nuk ishte zgjedhur në mënyrë objektive dhe me një votim të orkestruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit.
Përveç Dimitrovskës, në hetime për rastin Aditivët përfshihen edhe mbi 30 persona fizikë dhe pesë subjekte juridike, të cilët ngarkohen për prokurime të dyshimta të mazutit për EMV-në dhe TEC Negotinë. Ndër të dyshuarit për manipulime me tenderët në rastin “Aditivët” janë edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati prej muajsh dhe i palocuar nga autoritetet, pasuesi i tij në këtë pozitë Vasko Stefanov, ish-drejtori i TEC Manastir Pece Matevski, si dhe ish-drejtorët komercial të EMV-së, Adrian Muça dhe Danço Stojanovski. Dëmi i shkaktuar nga këto keqpërdorime përllogaritet në 6.5 milionë euro./Alsat.mk





