14.8 C
Skopje
Thursday, October 16, 2025

Ademi: 19 tetori është koha e popullit!

Në prag të përfundimit të fushatës zgjedhore, Aleanca Kombëtare për Integrim ka paralajmëruar anulimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara për kryetarin Ali Ahmeti ditën e premte, me qëllim që ai të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare në Tiranë në mbështetje të çlirimtarëve të UÇK-së. Duke e cilësuar këtë si një “akt solidariteti kombëtar dhe kujtesë për sakrificën që solli lirinë”, Arbër Ademi nga AKI tha se partia po e mbyll një fushatë të gjatë e të ngarkuar, por “me dinjitet, qetësi dhe ofertë konkrete për qytetarët”, duke u distancuar nga, siç tha ai, “fushatat e zeza dhe manipulimet e kundërshtarëve politikë”

 

Deklarata e plotë:

Sot po e përmbyllim një fushatë të gjatë, por shumë domethënëse. Si Shtab Qendror, kemi vendosur të anulojmë të gjitha aktivitetet elektorale të z. Ali Ahmeti për ditën e premte, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën gjithëkombëtare në Tiranë – në mbështetje të çlirimtarëve, bashkëthemeluesve të tij të UÇK-së së lavdishme. Ky është një akt solidariteti kombëtar, por edhe një kujtesë për ata që harrojnë se liria dhe të drejtat nuk dhurohen – ato fitohen me sakrificë.

Në këto javë, Aleanca Kombëtare për Integrim qëndroi me dinjitet, me qetësi dhe me ofertë konkrete për qytetarët. Ne nuk u morëm me shpifje, me fushata të zeza apo me manipulime. Folëm me gjuhën e fakteve, të vizionit dhe të përgjegjësisë. Fushatën tonë e ndërtuam mbi besimin, jo mbi frikën.

Fatkeqësisht, kundërshtarët tanë zgjodhën rrugën tjetër – rrugën e shpifjeve, të fabrikimeve dhe të skenarëve të errët. Në vend të ideve, ofruan shpifje e gënjeshtra; në vend të projekteve, shpikën skandale; në vend të garës për zhvillim, nxitën përçarje.

Që në fillim, vetë kryeministri deklaroi se “esenca e këtyre zgjedhjeve është zhdukja e BDI-së nga skena politike”, dhe më pas foli për “pensionimin politik të Ali Ahmetit”. Kjo nuk është thjesht gjuhë politike – kjo është nostalgji për një kohë kur shqiptarët duhej të ishin nën urdhra e jo bashkëvendimmarrës. Por ajo kohë ka mbaruar. Shqiptarët nuk do të kthehen më kurrë në vasalë të vullnetit të të tjerëve.

Ne kërkuam transparencë, përgjegjësi dhe veting të plotë – edhe për proceset që disa i konsiderojnë tabu: nga privatizimi e deri te shërbimet sekrete që kanë operuar kundër shqiptarëve. Dhe ata që flasin për korrupsion, heshtën – sepse e dinë se “pallati i bardhë” prej nga flasin është simboli më i madh i korrupsionit në këtë vend, i dëshmuar me aktgjykime gjyqësore.

Në Kërçovë e në Butel po provojnë sërish ta kthejnë garën në përplasje etnike, sepse s’kanë ofertë, s’kanë projekte dhe s’kanë vizion. Por këtë skenar e njohim mirë. Kur nuk munden të fitojnë me ide, shpikin, montojnë dhe shpërndajnë dezinformata – me shpresën se qytetari do ta humbasë besimin. Por qytetari shqiptar nuk mashtrohet më. Ai e di kush ka qëndruar me të në ditët e vështira dhe kush kujtohet vetëm në prag të zgjedhjeve.

Sot, në këtë fushatë, po lind një besëlidhje e re – një besëlidhje e shpresës, e dinjitetit dhe e rikthimit të besimit te forca e popullit. Qytetarë nga të gjitha shtresat, madje edhe ish-përkrahës të VLEN-it, po na bashkohen dhe thonë hapur: “Shpresuam në ndryshim, por përfunduam në zhgënjim e nënshtrim.”

19 tetori nuk është vetëm datë zgjedhjesh – është referendum! Referendum për rikthimin e dinjitetit, për barazinë e plotë, për progresin dhe drejtësinë. Më 19 tetor, shqiptarët do të flasin qartë – do të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre politikë, jo të emëruarit nga Mickoski apo nga boshti i tij politik. Ky është momenti ynë i bashkimit, momenti ynë për ta vulosur me votë dinjitetin, barazinë dhe drejtimin evropian të vendit. 19 tetori është referendumi i shqiptarëve për të ardhmen!

Fushata mbyllet, por rruga jonë sapo ka filluar. Rruga e Aleancës Kombëtare për Integrim është rruga e drejtësisë, e dinjitetit dhe e bashkimit – rruga që s’e ndal askush, sepse është rruga e popullit. Ka kohë kur heshtja është frikë, dhe kohë kur fjala bëhet liri. Sot është koha për fjalën tuaj – votën tuaj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit