Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, duke thënë se reagimet e fundit tregojnë mosdurim ndaj vendimit të lirë dhe të drejtë të anëtarësisë së partisë.
Në një intervistë për “KosovaPress” të shtunën, Mustafa pati kritika për drejtimin që Abdixhiku i ka dhënë LDK-së. Ai madje theksoi se Abdixhiku do duhej të kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme dhe jo të kishte votëbesim. Mustafa nuk pati fjalë të mirë as për djalin e Ibrahim Rugovës, deputetin e zgjedhur Ukën, për një deklaratë që ai e kishte bërë duke e cilësuar presidenten Vjosa Osmani si “rugoviste”.
Në një reagim në Facebook, Abdixhiku thekson se sulmet ndaj tij, LDK-së, familjes Rugova dhe strukturave të partisë janë pasojë e mbylljes së një kapitulli politik dhe humbjes së rolit të prapaskenave.
“Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e ta mbysin atë”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se në vend të maturisë dhe këshillëdhënies, po zgjidhet përbaltja dhe hapja e krizave artificiale.
“Papjekuri! Shpesh e pyes veten se si do të dukej kjo shtëpi politike sot, sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë”, ka shtuar ai.
Abdixhiku vlerëson se Kuvendi i fundit i LDK-së nuk ishte vetëm një proces demokratik, por një ndarje e qartë mes një kohe të kontrollit pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje, përgjegjësi dhe dinjitet.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja do të ecë përpara me njerëzit e saj dhe me besimin në vullnetin e anëtarësisë, duke theksuar se kthimi mbrapa nuk është më opsion.
“Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat. Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara. LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje. Por jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund dhe që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të tjetërsohet në prapaskena”, ka deklaruar ai.
Në fund, Abdixhiku ka bërë të ditur se partia do të fokusohet në punë më të rëndësishme dhe në ndërtimin e së ardhmes politike.



