AARC mbështetje për studentët: Mohimi i gjuhës shqipe, turp dhe fyerje për demokracinë

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) shpreh mbështetjen e tij të plotë dhe të palëkundur për studentët e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë paqësisht për të drejtën e tyre themelore për t’i nënshtruar Provimit të Jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe.

“Është thellësisht shqetësuese – dhe sinqerisht e papranueshme – që në vitin 2026, studentët detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar atë që nuk është një privilegj, por një e drejtë e garantuar qartë sipas kornizës kushtetuese dhe ligjore të shtetit.

E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat zyrtare bazohet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, të ndryshuar pas Marrëveshjes së Ohrit, si dhe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Këto instrumente ligjore pohojnë në mënyrë eksplicite barazinë e gjuhëve të folura nga të paktën 20% e popullsisë, përfshirë shqipen, në institucionet dhe proceset publike. Mohimi i mundësisë për të dhënë Provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe jo vetëm që është në kundërshtim me këto dispozita – por është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj tyre.

Kjo çështje u zgjidh një gjeneratë më parë përmes Marrëveshjes së Ohrit, një gur themeli i stabilitetit që i ka mundësuar Maqedonisë së Veriut të evoluojë në një shtet më gjithëpërfshirës, demokratik dhe të respektuar ndërkombëtarisht. Progresi i vendit – kohezioni i tij i brendshëm, trajektorja e tij euroatlantike dhe përafrimi me standardet evropiane – është ndërtuar mbi parimin e barazisë mes qytetarëve të tij. Minimi i këtyre parimeve tani është sa dritëshkurtër, aq edhe i rrezikshëm”, thekson AARC.

Kjo organizatë e njohur lobiste ka përcjell një mesazh shqetësues edhe në adresë të politikës shqiptar në RMV.

“Gjithashtu, duhet të shprehim zhgënjimin tonë të thellë me përfaqësuesit politikë shqiptarë që kanë mbetur absentë, pasivë ose joefektivë për këtë çështje. Detyra e tyre nuk është simbolike – është mbrojtja aktive e të drejtave të votuesve që ata përfaqësojnë. Mbi një çështje aq të qartë, aq themelore dhe aq të bazuar fort në ligj, nuk ka asnjë arsyetim për heshtje apo mosveprim. Ky dështim nuk është thjesht politik; është një braktisje e përgjegjësisë. Në të njëjtën kohë, ne paralajmërojmë të gjitha palët kundër politizimit të kësaj çështjeje. Të drejtat themelore nuk janë monedhë këmbimi, e as nuk duhet t’u nënshtrohen manovrave partiake. Kjo është një çështje e ligjit, barazisë dhe dinjitetit bazë njerëzor – asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Për studentët: kauza juaj është e drejtë. Zëri juaj po dëgjohet. Dhe ju nuk jeni vetëm. AARC qëndron me ju”, thekson AARC.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit