Shkup, 1 prill Zhurnal.mk – Numri i lypësve në kryqëzimet e Shkupit është rritur ndjeshëm gjatë muajit të fundit, duke shtuar rrezikun për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Deri vonë, vetëm në disa kryqëzime kishte persona që pastronin xhamat e makinave dhe kërkonin para, shpesh duke insistuar edhe kur refuzoheshin. Tani, përveç zonave si East Gate, Pallati i Drejtësisë dhe Autokomanda, persona të tillë janë shfaqur edhe te Mavrovka, Stacioni Hekurudhor, përgjatë bulevardit “Partizanska” dhe në lagjen Maxhari, në rrugën “Pero Nakov”.
Shumica e tyre, përveç se lypin apo pastrojnë xhama, sjellin edhe fëmijët me vete, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut në rrugë të frekuentuara dhe duke penguar rrjedhën normale dhe të sigurt të trafikut. Për më tepër, pas largimit të tyre, shpesh mbetet mbeturinë që nuk pastrohet për javë të tëra nga shërbimet përkatëse.
Kjo dukuri nuk është e re, por prej kohësh e pranishme. Megjithatë, shtrohet pyetja pse, edhe pse është e ndaluar, këta persona vazhdojnë të jenë të pranishëm në rrugë, duke rrezikuar veten dhe të tjerët.
Mediumi “Fokus” iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për të sqaruar pse nuk ndërmerren masa më të rrepta ndaj këtyre personave.
Nga MPB thonë se po ndërmerren vazhdimisht masa për ta parandaluar këtë fenomen.
“Shkelësit ndalohen në stacion policor ose në vendngjarje u shqiptohet procesverbal për kundërvajtje sipas nenit 24 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike. Në bashkëpunim me Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale ndërmerren masa edhe ndaj personave që lypin. Ndërsa ndaj prindërve të fëmijëve që lypin paraqiten kallëzime penale sipas nenit 201 të Kodit Penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup”, bëjnë të ditur nga MPB.
Sipas nenit 112 të Ligjit për sigurinë në komunikacion, këmbësorët nuk guxojnë të lëvizin apo të qëndrojnë në rrugë, përveç rasteve të parashikuara me ligj. Shkelësit mund të gjobiten me 50 euro.
Ndërkohë, sipas nenit 121, personat me karrocë invalidore mund të lëvizin vetëm në trotuar, ndërsa gjoba për shkelje është 15 euro.
Pavarësisht rrezikut të lartë për sigurinë, dënimet mbeten relativisht të ulëta, duke hapur dilema nëse ato janë të mjaftueshme për të parandaluar këtë fenomen gjithnjë e më të përhapur në kryeqytet.



