Ka mbetur edhe një muaj kohë për vlefshmërinë e dokumenteve identifikuese me emrin e vjetër të shtetit. Afati i fundit është deri më 12 shkurt. Për këtë shkak nëpër sportelet e MPB-së po shkaktohet kaos, madje shpesh herë ndodh që të bie edhe sistemi kompjuterik, me çka po zgjaten pritjet.
Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë në Sitel tha se kjo që po u bëhet qytetarëve është turp dhe tha se ka kërkuar që afati të shtyhet deri në shtator ose tetor.
“Së pari, është poshtërim i turpshëm i qytetarëve tanë dhe e panevojshme. Së dyti, këtë ua propozova të paktën dy ministrave në Qeverinë e Maqedonisë – me një ndërhyrje të shpejtë në dy ligje – ligjin për letërnjoftimet dhe ligjin për dokumentet e udhëtimit. Do t’i ndryshojmë ato dy ligje, do ta zgjasim afatin, në vend që të jetë muaji shkurt, të shtyhet për në muajin shtator-tetor”, tha Stevo Pendarovski, president.
I pyetur për këtë ide të Presidentit, Kryeministri Kovaçevski tha se do të bisedohet në seancë qeveritare.
“Fillimisht do të konsultohem me dy ministrat me të cilët ka biseduar presidenti. Të gjitha propozimet për mua janë të mira, që mund të përparojnë diçka. Besoj që edhe presidenti mund të komunikojë me presidenten e Greqisë, sepse megjithatë edhe në këtë nivel mund të komunikohet. Do të flasim në seancën e Qeverisë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Ndryshe MPB për ta lehtësuar procesin hapi edhe disa punkte shtesë për dhënie të dokumenteve të identifikimit, por siç duket as ato nuk ndihmuan. E përveç pritjeve të gjata nëpër sportele, pasi shteti nuk i mbuloi, qytetarët janë të detyruar vet të paguajnë për dokumentet e reja, ndonëse dokumentet me emrin e vjetër kanë ende afat të pa skaduar./TV21