Lufta në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe SHBA-ve kundër Iranit ka përhapur shqetësime edhe te qytetarët e Maqedonisë së Veriut për rritjen e mundshme të çmimeve ushqimore dhe jo vetëm, megjithatë ministri i Ekonomisë thotë se ende është herët të thuhet nëse do ketë ndikim të tillë, shkruan Portalb.mk.
Disa qytetarë të pyetur nga Portalb u shprehën të shqetësuar se lufta në Lindjen e Mesme mund të ndikojë rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe çmimeve tjera
“Normal se kemi frikë, jetojmë në një vend ku gjithnjë kemi pasiguri, të them të drejtën presim që të rriten çmimet si e bëjnë çdoherë”, tha një qytetar.
“Nuk e di, nuk i kuptoj këto punë por mendoj se këtu te ne vetëm sa presin të bëhet diçka dhe menjëherë të na godasin në xhep”, tha një qytetare.
“Po, presim të rriten çmimet edhe pse janë shumë të larta të produkteve bazike se nuk flasim për gjëra luksi, jeta është bërë shumë e shtrenjtë, pagat e ultëa, se di si mendojnë kështu”, tha një qytetare.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi thotë se ende është herët të thuhet që do ketë ndikim të tillë dhe se po e monitorojnë tregun.
“Tani për tani gjendja është stabile, do presim në ditët në vijim se çfarë pasoje mund të ketë situata e krijuar në Lindje dhe si Qeveri do të reagojmë menjëherë në qoftë se do të paraqiten pasoja të tilla krize ekonomike”, tha Durmishi.
Durmishi tha se në ditët në vijim do të prezantohet shporta mesatare konsumatore.
Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin është përhapur në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më kritike të ngecjes së energjisë në botë, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës.
Transporti detar përmes ngushticës, e cila transporton një të pestën e naftës së konsumuar globalisht, si dhe sasi të mëdha gazi, është ndalur pothuajse plotësisht për shkak të sulmeve iraniane ndaj cisternave të naftës në rajon.



