Pas tri vitesh mungesë takimesh të përbashkëta, kryeministri Edi Rama lë të hapur mundësinë e rifillimit të mbledhjeve mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa nga Prishtina ende nuk ka sinjale konkrete.

A do të ketë një takim të ri mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë?

Pas tri vitesh mungesë takimesh të përbashkëta, kryeministri Edi Rama lë të hapur mundësinë e rifillimit të mbledhjeve mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa nga Prishtina ende nuk ka sinjale konkrete.

Pas një periudhe të gjatë ftohjeje në raportet ndërshtetërore, tema e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri është rikthyer në qendër të vëmendjes.
Një deklaratë e re nga Edi Rama ka ringjallur pyetjen nëse dy qeveritë shqiptare do ta rifillojnë traditën e mbledhjeve të përbashkëta, që ka mbetur pezull prej vitit 2022.
Kryeministri i Shqipërisë, në përmbyllje të konferencës mbi bilancet e vitit 2025, u pyet mbi raportet me Kosovën pas konfirmimit në krye të shtetit të Kurtit dhe raporteve ‘të ngrira’ mes dy shteteve.
Rama aty tregoi se mbledhja mes dy qeverive do të ishte mirë të ndodhte, por shtoi më tej se puna mes dy vendeve dhe bashkëpunimi do të vijojë, sidomos për një prej projekteve më të rëndësishme, atë të Hekurudhës Durrës-Prishtinë
“Do të flasim, do të vendosim. Mos harroni se kemi bërë edhe mbledhje mes dy parlamenteve, por tani Kosova kishte zgjedhje. Albini u rikonfirmua dhe i kam bërë urimet personalisht,” tha Rama duke nënvizuar se ndërtimi i hekurudhës Durrës–Prishtinë mbetet “xhevahiri i kurorës për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
Ai shtoi se bashkëpunimi institucional mes dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në funksion të zhvillimit ekonomik dhe lidhjes infrastrukturore.
Për këtë deklarim të Ramaë ende nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, por as nga vet Kurti.
Në dhjetor të vitit që lamë pas, zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, në një deklarim për media kishte thënë se marrëdhëniet mes dy shteteve janë produktive, pavarësisht mungesës së takimeve.
Ai pati treguar se gjatë mandatit të Kurtit janë nënshkruar 58 marrëveshje të reja, nga gjithsej 184 që ekzistojnë mes dy vendeve, dhe se bashkëpunimi praktik ka sjellë rezultate konkrete për qytetarët.
“Janë 58 marrëveshje të nënshkruara në katër vitet e fundit, që prekin qindra mijëra qytetarë. Janë 26 vendkalime kufitare të reja, projekti i hekurudhës Prishtinë–Durrës, hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe diplomave, si dhe abetarja unike,” deklaroi duke shtuar se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritet “ringjallje e bashkëpunimit”.
Sipas tij, proceset zgjedhore në të dy vendet kanë krijuar një ndërprerje të natyrshme të ritmit të bashkëpunimit, por marrëveshjet janë zbatuar dhe bashkëpunimi teknik nuk është ndalur.
Tri vite pa mbledhje të përbashkët
Mbledhja e fundit ndërmjet dy qeverive është mbajtur më 20 qershor 2022, në Prishtinë.
Takimi i radhës, i planifikuar për 14 qershor 2023 në Gjakovë, u anulua nga ana e Edi Ramës pasi kryeministri Kurti refuzoi ndryshimin e formatit të saj në një takim më të ngushtë, ku do të diskutohej situata e tensionuar në veri të Kosovës.
Që nga ajo kohë, mbledhje të përbashkëta nuk janë mbajtur as në vitin 2024 dhe as në 2025, duke shënuar ndërprerjen më të gjatë të këtij formati që prej nisjes së tij në vitin 2014.
Në ndërkohë, Shqipëria ka zhvilluar mbledhje me vende të tjera të rajonit, ndërsa Kosova ka mbajtur një takim të ngjashëm me Maqedoninë e Veriut në nëntor të vitit 2024.
Nga Prizreni në 2014 deri në Prishtinë në 2022 – një dekadë bashkëpunimi
Tradita e mbledhjeve të përbashkëta filloi më 2014.
Mbledhjet mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nisën në vitin 2014, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. E para u mbajt në Prizren.
E dyta, në vitin 2015, në Tiranë, kur në Kosovë ishte kryeministër Isa Mustafa.
Në vitin 2016 u mbajt në Prishtinë, ndërsa në vitin 2017 në Korçë, kur kryeministër i Kosovës ishte Ramush Haradinaj.
Në vitin 2018 u mbajt në Pejë, ndërsa në vitin 2020, me kryeministër Avdullah Hotin, në Tiranë.
Me kryeministër Albin Kurtin, në vitin 2021 dhe 2022 u mbajtën dy të tjera – një në Elbasan dhe tjetra në Prishtinë.
Në total, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar 184 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi në fusha që variojnë nga infrastruktura, arsimi dhe kultura, deri te siguria dhe energjia.
Si u prish tradita e mbledhjeve të përbashkëta?
Mbledhja e fundit mes të dy qeverive u mbajt më 20 qershor të vitit 2022.
Asokohe, kur mbledhja e paraparë do të mbahej në Gjakovë, Edi Rama po përpiqej të propozonte një draft të Statutit të Asociacionit për Komuna me Shumicë Serbe – si një opsion për dalje nga kriza e dialogut ku kishte hyrë Kosova, e shoqëruar me tensione në veri të vendit.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, raportet Kosovë–Shqipëri u ftohën, ndërsa Kosova mori më pas një shuplakë nga Bashkimi Evropian, që vendosi masa ndëshkuese të cilat vazhdojnë ende.
“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe, pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë, në një format më të ngushtë – përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes – për të diskutuar pikërisht për këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit e ka vendosur gishtin faktikisht në butonin që do të vë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, deklaroi Rama në qershor të vitit 2023.



