10.8 C
Skopje
Friday, November 7, 2025

A do të caktojë Qeveria u.d të kryetarit në Gostivar, Vrapçisht dhe dy komuna tjera?

Javën e ardhshme planifikohet të zhvillohen takime me partnerët e koalicionit për të përcaktuar personat që do të marrin përkohësisht drejtimin e katër komunave: Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë–Rostushë, pas dështimit të procesit zgjedhor, bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski.

Ai theksoi se, sapo KSHZ-ja të konfirmojë zyrtarisht përfundimin e zgjedhjeve, qeveria do të ketë në dispozicion 15 ditë për të emëruar kryetarët e përkohshëm në komunat ku nuk u arrit pragu i daljes dhe votimi nuk prodhoi rezultat.

“Fillimisht duhet zyrtarisht KSHZ t’i përfundojë zgjedhjet, ta informojë qeverinë. Kjo pres të ndodhë javën tjetër. Dhe më pas qeveria ka afat 15 ditë të veprojë për këtë, pastaj ta informojë KSHZ-në dhe Kuvendin, që Kuvendi në afat të 60 ditëve të mbajë zgjedhje të reja në këto komuna ku ishin të pasuksesshme, dhe atëherë nuk ka më kusht censusi, ai censusi për dalje. Kështu që unë pres që gjatë javës së ardhshme kur t’i marrim të ulemi me partnerët e koalicionit dhe të propozojmë emrat që do të jenë të dërguarit e qeverisë në ata komuna ku nuk kishin sukses zgjedhjet”, tha Mickoski.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në këto komuna në raundin e parë nuk u arrit pjesëmarrja ligjore prej të paktën një të tretës (33.33 përqind) të votuesve të regjistruar, që është kusht që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme.

Në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht – 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë – 30.31 përqind dhe në Qendër Zhupë – 21.49 përqind.

Sipas nenit 132 paragrafi (2) të Kodit Zgjedhor, nëse në raundin e parë të votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës, përkatësisht kryetarit të Qytetit të Shkupit, një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në certifikatën nga lista e votuesve për komunën përkatëse, pra qytetin e Shkupit, nuk dalin në votime, e gjithë procedura zgjedhore për komunën përkatëse do të përsëritet.

Si pasojë, neni 132-a thotë se zgjedhjet e përsëritura të përmendura në nenin 132 paragrafi (2) për komunën përkatëse do të mbahen jo më vonë se 60 ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, me ç’rast kushti i parashikuar në nenin 132 paragrafi (1) të këtij Kodi në lidhje me pjesëmarrjen e një të tretës së numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në certifikatën nga lista zgjedhore për komunën përkatëse nuk do të zbatohet.

Kështu, i gjithë raundi i parë për këto komuna do të përsëritet, dhe procedura e re zgjedhore do të fillojë brenda 60 ditëve pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të vitit 2025.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti rrethin e parë të zgjedhjeve të teta lokale, ndërsa më 2 nëntor, rrethin e dytë. (Portalb.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit