12.8 C
Skopje
Sunday, November 9, 2025

Rama: Shqipëria do ta rikthejë industrinë e mbrojtjes dhe do bëhet eksportuese e pajisjeve ushtarake

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një aktiviteti në Zall Herr për 16-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, deklaroi se një nga prioritetet kryesore të qeverisë është krijimi i industrisë prodhuese të mbrojtjes brenda vendit. Ai theksoi se Shqipëria ka mundësitë për të zhvilluar këtë industri dhe për t’u bërë një eksportuese e produkteve ushtarake brenda dekadës.

Ai shtoi se një nga qëllimet kryesore është që kjo industri të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura, por edhe të krijojë mundësi financimi për të ri-investuar në sektorin e mbrojtjes

“Ambicia jonë është krijimi industrisë sonë të mbrojtjes. E dimë shumë mirë si u shkatërrua ajo. Sot i kemi kushtet dhe mundësitë që të ndërtojmë një industri e cila brenda kësaj dekade të na jap jo vetëm mbrapsht një aset të munguar të Shqipërisë, pikërisht asetin e kësaj industrie, por të na jap edhe një kapacitete të ri të fitimit në aspektin financiar për të ri-investuar në FA dhe në jetën e vendit. Sot kemi një ekip që është ndërtuar pikërisht për këtë. Jo vetëm do investojmë në mbrojtje pro do të marrim mbrapsht atë që investojmë duke prodhuar. Ne do të jemi një vend eksportues i prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade, ky është qëllimi dhe jemi në rrugën e realizmit duke parë se si po ecin diskutimet me kompanitë e mëdha ndërkombëtare që kanë shprehur interes të në bashkohen në këtë aventurë të re. Qëllimi ynë është të shfrytëzojmë mbrojtjen edhe për të krijuar një bazë tërheqëse për të rinjtë, profesionistë që jo vetëm të mos largohen nga vendi por edhe të kthen nga jashtë”, tha Rama.

Përveç krijimit të industrisë së mbrojtjes, Rama theksoi se Shqipëria ka shumë asete të fjetura në Forcat e Armatosura, të cilat mund të shfrytëzohen për të sjellë të ardhura për mbrojtjen.

“FA zotëron shumë asete të fjetura që nuk vihen në punë dhe Ministria e Mbrojtjes duhet të bëhet qendër e zhvillimit të pronave të FA që nuk do përdoren për qëllime ushtarake por janë të tyre dhe filozofia jonë është se duke ndërtuar partneritete edhe në këtë drejtim do të mund të marrin të ardhura. Ushtria sot kërkon shumë para dhe të gjithë po rrisin buxhete, por nga ana tjetër ky sektor ka një potencial edhe për të bërë edhe shumë para”, shtoi ai

Rama theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në forcimin e kapaciteteve të ushtrisë që nga anëtarësimi i vendit në NATO. Rama bëri të ditur se gjatë 10 viteve të fundit investimet në sektorin e mbrojtjes janë dhjetëfishuar.

“Duke e kthyer kokën pas, është një e vërtetë e dhimbshme që ndërkohë që në aspektin e integrimit të ushtrisë sonë në komunitetin euroatlantik, të gjithë bën përpjekjet e tij, në aspektin e përkujdesjes dhe të mbështetjes për ushtrinë tonë në të përditshmen e vete Shqipërisë i ndodhi ajo që nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër. Një rënie në humnerë dhe pastaj një braktisje shumë e gjatë dhe e them me plot gojë se nëse sot kemi një trup që mbështete mbi kapacitete të rëndësishme njerëzore, ky është i vetmi aset i trashëguar nga e shkuara që është kapaciteti i drejtuesve të sotëm të FA fal tyre cilëve dje këto forca i mbijetuan me shumë vështirësi një sfide të paparë si rezultat i shembjes së shteti dhe pastaj i kthimit të kurrizit nga ana e shtetit ndaj FA. Nga një anë është krenari të them që ne në 10 vite kemi 10-fishuar investimet në fushën e mbrojtjes, por nga ana tjetër është vërtet dramatike të mendosh se kur ne morëm detyrën FA mbështeteshin me 28 mln euro investime, një shifër që sot është shumë më e vogël se sa shifra që ne kemi investuar vetëm për emergjencat civile. Sot kemi një forcë ndaj të cilët të rinjtë nuk janë të mbyllur, por hedhin sytë drejt saj”, u shpreh kryeministri.

Rama gjithashtu foli për modernizimin e Akademisë së Forcave të Armatosura, e cila po transformohet në një kampus të ri dhe modern, me synim krijimin e një qendre mësimore dhe stërvitore që do të kalojë kufijtë e Shqipërisë.

“Investimi madhor që po bëhet për transformimi akademisë në një kampus modern ka filluar të duket dhe do të jetë një qendër krenarie për FA dhe ambicia jonë është të jetë një qendër mësimore dhe stërvitore që t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë”, tha Rama.

Gjatë aktivitetit, u demonstruan operacione ushtarake në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall Herr, si pjesë e angazhimit për forcimin e kapaciteteve dhe përgatitjes së ushtrisë shqiptare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit