30.8 C
Skopje
Monday, September 15, 2025

Kosova e shqetësuar për tarifën prej 10 për qind nga SHBA-ja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së. Në listën e shteteve të prekura nga tarifat e reja figuron edhe Kosova, e cila do të përballet me një tarifë prej 10 për qind. Me të njëjtën tarifë është ndëshkuar edhe Shqipëria dhe Mali i Zi. Ndërkohë, Serbisë i ka vendosur tarifë prej 37 për qind.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur tarifa të reja për disa nga partnerët e saj tregtarë, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të ndryshme, ndërkaq ekspertë ekonomikë kanë theksuar ndikimin e mundshëm të këtyre masave për vendin tonë.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka shpjeguar se këto tarifa, të cilat janë të vendosura në nivelin 10 për qind për Kosovën, janë pjesë e një realiteti të ri global që karakterizohet nga politika e mbrojtjes ekonomike të SHBA-së, e njohur ndryshe si “trampizëm”.

Gërxhaliu ka theksuar se ky lloj i “trampizmit” ka sjellë ndryshime të mëdha në sistemin ekonomik ndërkombëtar dhe se vendime të tilla, kanë një argumentim të fortë që qëndron pas mbrojtjes së ekonomisë amerikane.

Sipas tij, Kosova është e goditur nga një masë e tillë, duke shpreh shqetësim se vendi nuk ka as stabilitet politik që të ju bëj ballë këtyre vendimeve ndaj Kosovës.

“Sipas asaj që është proklamuar Kosova e ka një taksë 10 për qind. Por, duhet të kuptohet që prej të gjitha vendeve në Ballkan, në Evropë, Kosova është në pozitën më të vështirë, nga vet fakti që jemi në sanksion nga BE-ja, fondet e USAID-it janë të ngrira dhe që në Kosovë nuk kemi stabilitet politik dhe ne merremi me vetveten. D.m.th në vend që të kemi institucione sa më shpejtë, ne luftojmë për pushtet… Besoj që efektet do të jenë shumë të mëdha, sepse nuk ka kush të draftojë apo të hartojë një strategji të taksave apo një strategji mbrojtje”.

Ai tha se sektorit privat është para sfidave të shumta duke shtruar disa pyetje.

“Dihet mirë që kemi pas preferenca tregtare me ShBA-të, besoj që tash pyetja më e adresuar do të jetë: pse nuk u shfrytëzuan ato preferenca, pse nuk u mbështetën bizneset vendore për t’u depërtuar në mënyrë më agresivë atje? Por, ky realitetin me të cilin duhet të ballafaqohemi dhe besoj që është koha kur duhet ta avancojmë dhe në çfarë forme duhet të rreshtohet ekonomia sociale”.

Në lidhje me vendimin e SHBA-së kanë reaguar edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, duke theksuar se ka kohë që ky institucion ka alarmuar për një vendim të tillë dhe ka kërkuar nga institucionet që të shfrytëzojnë kanalet diplomatike për të mos ndodhur ky vendim.

DhTIK ka theksuar se ky vendim pritet ta godas edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejtë SHBA-ve ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit.

“Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dhjetor 2024, eksportet tona ishin 3.5%, përderisa në muajin janar dhe shkurt 2025, ato ranë në 2.8, përkatësisht 2.5% në muajin shkurt të këtij viti. Gjithashtu, DhTIK i bënë thirrje qeverisë që t’u dalë në ndihmë bizneseve që atakohen nga ky vendim”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit