Varroset 19-vjeçari që u vra mbrëmë në Vushtrri
Është varrosur 19-vjeçari, Ardit Zymeri, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së dielës në Vushtrri.
Në varrim morën pjesë qindra qytetarë, transmeton Klankosova.tv.
Vrasjen e të riut e kanë konfirmuar edhe policia.
“Rreth orës 20:35 policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull kosovar rreth 19-vjeçar”, deklaroi për Klankosova.tv, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Nga ana tjetër, dorasi, Bleon Dibrani është arrestuar, derisa sot ka pranuar fajësinë.
“Është arrestuar i dyshuari, është konfiskuar pistoleta me të cilën dyshohet se ka kryer veprën. Është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit, ku është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me pesë fishekë”, deklaroi Zahiti.
“Gjatë intervistimit ai e ka pranuar se e ka kryer vrasjen. Hetimet po zhvillohen dhe është herët të flitet për motivet”, e pati konfirmuar për Klankosova.tv, zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, u mbajt edhe seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurin.
“I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën ‘Galip Badivuku’ në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.