Ministria e Shëndetësisë ka informuar se 23 persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së zhvilluar dje në Tiranë, mes tyre protestues, efektivë policie, përfaqësues të medias dhe një deputet i Kuvendit.
16 persona janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës, ku 12 prej tyre janë protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie. Mes protestuesve të lënduar është edhe i riu që u lëndua në sy me plumb gome, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente gjatë ditës së djeshme.
Ndërkohë, në QSUT kanë marrë ndihmë mjekësore 5 persona: një deputet, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas ministrisë, të gjithë kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.
Dy efektivë të tjerë të policisë janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe më pas janë larguar.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës së 24 tetorit arrin në 23, ndërsa vijon ndjekja e rastit të protestuesit të dëmtuar në sy.








