10.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Plácido Domingo, interpretoi për herë të parë mbrëmë në Maqedoni

Mbrëmë, Arena “Boris Trajkovski” në Shkup u mbush me tingujt magjepsës të muzikës klasike dhe operistike, në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore që ky qytet ka përjetuar ndonjëherë. Legjenda e skenës botërore, tenori dhe dirigjenti spanjoll Plácido Domingo, interpretoi për herë të parë në Maqedoni, duke dhuruar një koncert që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut. Koncerti, i organizuar nga Opera dhe Baleti Nacional në bashkëpunim me Pragma Production, mblodhi adhurues të muzikës klasike nga i gjithë rajoni.

Publiku pati fatin të shijonte një repertor të pasur, të ndarë në dy pjesë, ku interpretimi magjepsës i Domingos shkëlqeu në çdo notë. Ai i dha jetë arieve të famshme me një elegancë dhe forcë emocionale që vetëm një artist me një karrierë mbi gjashtë dekada mund ta sjellë. Në krah të tij ishte sopranoja e njohur María José Siri, e cila me zërin e saj të ngrohtë dhe ekspresiv qëndroi fuqishëm krah për krah me tenorin legjendar.

Koncerti filloi me një interpretim madhështor të Uverturës së operës “Norma” të Vincenzo Bellinit, duke krijuar menjëherë një atmosferë solemne. Domingo e hapi mbrëmjen me arien “Nemico della Patria” nga opera “Andrea Chénier” e Umberto Giordano-s, duke shpaluar fuqinë dhe ndjeshmërinë e zërit të tij të pashoq. Pas tij, sopranoja e njohur María José Siri magjepsi publikun me interpretimin e saj të “Io son l’umile ancella” nga “Adriana Lecouvreur” e Francesco Cilea-s.

Kori i Operës dhe Baletit Nacional u bashkua me artistët në pjesët korale nga “Il Trovatore” i Verdit, duke interpretuar “Vedi! Le fosche notturne spoglie” dhe “Squilli, echeggi la tromba guerriera” me një pasion të fuqishëm. Pjesa e parë u mbyll me duetin emocionues “Udiste?… Mira, d’acerbe lagrime”, në të cilin Domingo dhe Siri arritën një harmoni vokale të jashtëzakonshme.

Në pjesën e dytë, koncerti mori ngjyra më të larmishme stilisike me një theks të veçantë në muzikën spanjolle, duke filluar me korin me pjesën e famshme “Va, pensiero” nga “Nabucco” e Verdit. Domingo shkëlqeu në “Quiero desterrar” nga “La del Soto del Parral” dhe “Mi aldea” nga “Los Gavilanes”, duke sjellë një ndjenjë të thellë nostalgjie dhe dashurie për muzikën spanjolle. Siri shkëlqeu në “Que te importa que no venga”, duke mahnitur edhe për një herë të gjithë me potencialin e vokalit të saj dhe finesat në teknikën e interpretimit.

Dirigjenti spanjoll Marcello Rota  drejtoi me mjeshtëri Orkestrën e Operës dhe Baletit Nacional, duke nxjerrë në pah çdo detaj muzikor dhe duke ofruar një bashkim të natyrshëm dhe korrekt mes këngëtarëve dhe orkestrës. Orkestra e Operës dhe Baletit Nacional, interpretoi me precizion dhe ndjenjë artistike, veçanërisht në pjesët instrumentale si Intermezzon nga “La Leyenda del Beso” dhe Uverturën nga “Die Fledermaus” e Johann Strauss II ku patën mundësin të shprehin potencialin e tyre si individë dhe si orkestër. Këtu mund të veçojmë punën me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm të koncermjeshtrit Kliment Todoroski.

Mbrëmja kulmoi me disa bis-e të përzgjedhura mjeshtërisht: “Amor, vida de mi vida” nga “Maravilla” e Federico Moreno Torroba-s, ku Domingo tregoi edhe një herë përmasat e interpretimit të tij artistik , ndjekur nga “Tres horas antes del día” e interpretuar mrekullisht nga Siri. Finalja erdhi me “No puede ser” nga “La Tabernera del Puerto” e Pablo Sorozábal-it, e cila ngriti gjith publikun në këmbë.

Mbrëmja u përmbyll me duartrokitje të gjata dhe një ovacion të merituar për të gjithë interpretuesit, duke lënë pas një kujtim të paharrueshëm për publikun e pranishëm.

Pavarësisht moshës së tij mbi tetëdhjetë e katër vjeçare, Plácido Domingo vazhdon të magjepsë publikun me një energji dhe pasion që sfidon kohën. Interpretimi i tij mbetet i fuqishëm dhe plot ndjenjë, duke dëshmuar përkushtimin e palëkundur ndaj artit të tij. Me një karrierë që shtrihet mbi gjashtë dekada, vitaliteti dhe prezenca e tij skenike janë po aq mbresëlënëse sa në fillimet e tij, duke e bërë çdo paraqitje një ngjarje të paharrueshme./ A.Ç

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit