7.8 C
Skopje
Tuesday, November 11, 2025

Historia e panjohur e shqiptarit më të famshëm në SHBA

Nga Rozi Theohari

Ishte pasditja e së premtes së 20 majit 2005, kur, me telefon, mikja ime amerikane, Ann Negri, më lajmëroi se Anton Athanasi, kishte ndërruar jetë. Hapa emisionin e lajmeve lokale në tv dhe u përballa me fotografinë e të ndjerit: Antoni i ri, me një kostum blu, shik, me një buzëqeshje të çiltër, me dy vetullat e zeza kaleshe, karakteristike për fytyrën e tij dhe dy sy depërtues. Spikerja përsëriti disa herë lajmin: “U shua Anthony, ‘Albanian restaurateur’, themeluesi i Antony’s ‘Pier 4”, përfaqësuesi i veçantë dhe i respektuar i njërit prej brezave më madhështorë të komunitetit të qytetit të Lynn-it e të Bostonit, i cili dikur tha: “Hard ëork” (puna e vështirë), e ndërtoi këtë vend (Amerikën)”…! Ai luftoi tre vjet me sëmundjen e Alzheimer-it, deri sa ajo e mundi…”!

Një ndjenjë nderimi, krenarie, përzier me ngashërim me përshkon trupin. Qëndroj disa minuta në dritare, ku përballë, në krye të një masivi shkëmbor, në breg të oqeanit, pronë e familjes Athanas, ngrihet hijerëndë e luksoz një nga restorantet e tyre të dëgjuara, “Anthony’s Hoëthorne-by-the sea”, në Swampscott. Dallgët e bardha të oqeanit afrohen me radhë njëra pas tjetrës e godasin butësisht, muret-kështjellë të ndërtesës, si të sjellin ngushëllime për humbjen e të zotit.

Sjell ndër mend një ditë vjeshtë të 1994-ës, kur qëndroja e hutuar dhe e mahnitur në hollin e restorantit “Pier 4”, në Boston, e vështroja për herë të parë atë luks e mirëqenie e, s’më besohej se gjithë ai kompleks aristokratik, ishte pronë e një bashkatdhetari!

– “Hë, moj shqiptarkë, ke ardhur edhe ti të kërkosh punë”?!

U ktheva menjëherë dhe u ndodha ballë për ballë me zotin Athanas, i cili po buzëqeshte plot mirësi: “- Kemi vende të lira vetëm në kuzhinë, por aty është punë e rëndë, për ju gratë…”! Në fillimin e viteve ’90-të, emigrantët e parë shqiptarë, iu turrën industrisë kulinare. Restorantet e Antoni Athanasit hapën dyert dhe punësuan dhjetëra djem e vajza shqiptare.

– “Unë jam gazetare, – i thashë shpejt e shpejt, – dëshiroj të marr një intervistë nga ju…”!

Ai më tha: “Mirë se erdhe”, toku dorën me mua e më ftoi të uleshim në një kolltuk pranë vatrës gjigante, ku digjeshin dy gërxhele.

– “Dëgjo këtu…, prej nga të kemi”?

– “Nga Korça…, jemi të dy patriotë”!

– “Unë jam patriot me të tërë shqiptarët…, por dije se nuk kam kohë…, i kam edhe minutat të numëruara”.

Ai bëri të ngrihej, unë e sulmova me pyetje.

– “Më vjen keq, të thashë s’kam kohë”! – Ai me përshëndeti me mirësjellje dhe ngjiti me nxitim shkallët, ku e prisnin dy kameriere.

Po atë vjeshtë, për festen tradicionale të 28 Nëntorit, u mblodhën shqiptaro-amerikanët e Bostonit, si çdo vit, të kremtonin Ditën e Flamurit, në “Pier 4”. Sallat dhe interierët e restorantit, ishin zbukuruar me flamurë kombëtarë e drita shumëngjyrëshe, të cilat feksnin dukshëm në sfondin blu të oqeanit përtej vetratave. Tek ngjitja shkallët e shtruara me kadife vishnje, më zuri syri zotin Anton Athanas, i cili po mbante me zor një tavolinë të madhe, i ndihmuar edhe nga një kamerier. Ne të ftuarit që vinim për herë të parë, mbetëm gojëhapur, tek shihnim atë skenë. Iu afrova zotit Anton, e i pëshpërita: “Nuk u gjendka një kamerier tjetër, për këtë punë”?!

Ai, sa më pa, u kujtua për intervistën e ma preu: – “Jemi jashtëzakonisht të zënë…, kanë ardhur shumë të ftuar…, duhen tavolina…”! Duheshin tavolina të tjera e të tjera çdo vit që festohej 28 Nëntori në “Pier 4”, sepse njerëzit vinin mizëri në atë manifestim madhështor, në mjediset e restorantit modern, me ushqim të bollshëm e të zgjedhur, të pritur me dashuri e respekt, nga zoti e zonja Athanas.

Një vit më vonë, në një ditë nëntori, tek i bija ziles së telefonit të sekretares së “Pier 4”, për të rezervuar biletat e festës, m’u përgjigj një zë burri:

– “Mos fol anglisht, – më tha, – e kuptoj qe je shqiptarkë”.

Ishte zëri i Anton Athanasit. Ai pyeti për emrin tim dhe sa bileta doja.

– “Më falni, zotëri, po pse u dashka të merreni ju edhe me listën e të ftuarve”…?!

– “Sepse sekretarja ka shkuar në bankë dhe unë po qëndroj te telefoni deri sa ajo të kthehet”. Ai qeshi se më njohu nga emri e, duke u shfajësuar, më tha:

– “Tashti, po deshe, bisedojmë, se jam në qetësi…por bjeri shkurt”.

Unë u stepa për një çast. Nuk më ndodhej pranë as letër, as laps. Para se ta merrja veten, ai filloi të fliste ngadalë e me humor e, u ankua se u shmangej intervistave të gazetarëve, të cilët shpesh, i “vidhnin” kohën. E pyeta në e mbante mend ditën e parë të ardhjes në Amerikë dhe ai m’u përgjigj: – “Po.”Anton Athanasi e pa Statujën e Lirisë për herë të parë, në vitin 1915, në moshën 5- vjeçare”.

“A u menduat shumë kur niset biznesin e parë”? – e pyeta.

“Amerikanët përdorin një shprehje të ngjashme: ‘Kur e bën ai, pse të mos e bëj edhe unë’? Kjo ishte shtytja e parë…! Kur e ke filluar punën pa frikë, kur e ke marrë në sy dështimin dhe kur nuk kënaqesh nga ajo që ke arritur, vazhdo…vazhdo… se e ke rrugën të hapur”, – u përgjigj ai.

“Pse ju zgjodhët pikërisht biznesin e restoranteve”? – e pyeta.

“Sepse është rruga më e lehtë të fillosh një biznes, – u përgjigj ai, – merr me qira një lokal, fillon të blesh ushqimet, të gatuash e, t’i tregtosh. Më vonë, me fitimet e blen lokalin dhe zgjeron biznesin. Italianët dhe grekët, që kishin filluar para nesh, na dhanë një eksperiencë të mirë”!

“Ju përmendët zgjerimin e biznesit, kaq shpejt arrihet ai”?!

“Ai nuk arrihet kaq lehtë…! Dëgjo tani…mund të bëj një krahasim me çfarë thotë Bibla…! Ju mund të ndërtoni një shtëpi mbi rërë shumë shpejt, por të ndërtosh një shtëpi mbi shkëmb, ka vështirësi, do mund, lodhje. Po kur vjen tufani, shtëpinë e rërës e shkatërron dhe e hedh tutje, ndërsa shtëpia mbi shkëmb, qëndron e paprekur…! Unë nuk punoj shkel e shko e, vetëm për të sotmen…! Unë ‘ndërtoj mbi shkëmb’, punoj e lodhem shumë e mendoj për të ardhmen…”!

“Babai im, – i thashë, – kur është larguar nga Shqipëria, për në Amerikë, ka udhëtuar pothuaj në të njëjtën kohë me ju dhe në të njëjtën rrugë, nga Korça në Pire, Greqi, me kuaj e, më tutje me vapor. Edhe ai punoi rëndë e, bleu një restorant në Detroit…! Gjithë jetën më ka ngacmuar kureshtja, sesi do të jetonim, sikur të na kishte marrë edhe ne babai, në Amerikë…”!

“Ndoshta sot nuk do të mbaje në dorë penën, por thikën në kuzhinën e restorantit,” – tha ai me humor. U ngjetha kur mendova se edhe familja jonë, do të kishte kaluar rrugën e mundimshme e me plot të papritura të familjes Athanas, prej ditës së mbërritjes në “tokën e premtuar”! Prindërit e Antonit u vendosën në qytetin Nju-Bedford dhe gjetën punë në një fabrikë pambuku, me një pagë të ulët, ndërsa Antoni i vogël, ndihmonte xhaxhanë të shiste fruta e perime, me një karrocë që e shtynte me dorë në Fanueil Hall, aty ku sot ngrihet ‘Quincy Market’.

“Nëna ime, – psherëtiu Antoni, – qysh në vogëli më kishte mësuar të isha punëtor, nikoqir e t’ua kaloja moshatarëve. Babai, Simoni, ishte këmbëngulës të mos e kaloja kohën kot. Më jepte një shportë me banane e më thoshte: Po nuk i shite të gjitha bananet, mos më hajde në shtëpi’. Unë vrisja mendjen, si të veproja. Zija vend në të dy anët e urës, ku kishte kalimtarë më shumë dhe arrija t’i shisja të gjitha. Kështu më mbetej pak kohe e lirë të kthehesha në shtëpi e, të kryeja detyrat e shkollës”.

Anton Athanasi e ka pas dashur shumë të ëmën dhe ka vazhduar ta kujtojë e ta respektojë pas vdekjes se saj. Në një nga zyrat e tij, është i varur në mur portreti i Evangjelia Athanas-it. Ai dëshironte të ndërtonte në Shqipëri një spital të madh, me emrin e nënës së tij…! Antoni e përmend nënën e tij edhe për diçka tjetër. Ai ka deklaruar para gazetarëve e vendeve publike, se ishte pikërisht nëna e tij, e cila e solli farën e kosit me vapor, nga fshati Trebickë dhe ai e cilëson: “Our Culture”. “Ne shqiptarët e sollëm në Amerikë farën e kosit”…! Ishte tharmi i vendlindjes, ishin traditat e familjes shqiptare që, duke udhëtuar mbi Atlantik, fillonin të hidhnin rrënjë pak nga pak, në kontinentin e ri.

Në moshën 13 vjeç, Antoni e la shkollën e gjeti punë në një fabrikë të Bedfordit. Detyra e tij ishte ndezja e sobave me dru e qymyr, për zyrat e shefave, punë të cilën, siç thotë ai, e kishte kryer edhe në shtëpi, tok me motrat e vëllezërit. Ai punonte 7 ditë në javë e, shpinte në shtëpi 12 dollarë. Më vonë ai punoi si “busboy” dhe kamerier, në një nga restorantet e dëgjuar të qytetit. Ai ishte i pari shqiptaro-amerikan që punonte në atë restorant dhe kur u kthye në shtëpi nga dita e parë e punës, u duartrokit nga njerëzit e familjes dhe miqtë.

Pesëdhjetë vjet me vonë, në një fjalim mbajtur në “Fanuiel Hall”, para më tepër se 400 pjesëmarrësve, ai tha: “Në qoftë se ju mendoni se jam i suksesshëm tani, ju duhet të më shikonit mua atëherë”. Në moshën 14 vjeç, ai punonte si pjatalarës, por një grevë e gjatë punëtorësh e dobësoi ekonominë e Bedfordit, kështu Antoni lëvizi në Nju- Jork, ku punoi tek restoranti i xhaxhait tjetër. Aty Antoni kreu të gjitha llojet e punëve, që ka një restorant, përveç punës në zyrë, për të cilën ai nuk e vrau mendjen shumë, gjatë veprimtarisë së jetës.

Dhe erdhi një dite kur ai, me kursimet e fituara, hapi vetë në Nju-Jork një restorant të vogël 45-vendësh, me punësim për dy vetë, counter-service. Por ky hap i rëndësishëm në jetën e tij, u ndërpre shpejt, sepse për fat të keq, i vdiq i ati dhe u detyrua të kthehej sa më parë në Bedford. Djali 20-vjeçar, punoi në Nju Bedford, në fillim si kamerier e, më vonë kryekamerier, duke e ndihmuar familjen, me 3.000 dollarët e tij, të kursyera.

…”Kisha një shok të afërm, – përfundon Antoni, – ishim të dy korçarë e moshatarë, quhej Vasil. Me të shpesh i qaja hallet e i flisja për projektet që kisha në kokë. Një dite shkuam në plazh, të dy ishim djem të rinj, na pëlqente noti në oqean…! Duke qëndruar shtrirë në rërë, me sytë nga qielli, i thashë Vasilit se; dëshiroja të hapja në Lynn një lokal të vogël. ‘Hot Dog’. Ai e pëlqeu mendimin tim e, më inkurajoi…”!

Lynni është i përmendur si qendër industriale pranë Bostonit dhe si një qytet me popullsi të madhe emigrantësh. Banorët e parë kanë qenë anglezë, më vonë erdhën irlandezë, italianë, francezë-kanadezë, grekë, armenë e të tjerë, të cilët punonin në fabrikat e këpucëve. Antoni i kishte rënë lapsit, se hapja e një “Hot Dogu”, pranë këtyre fabrikave, do të kishte xhiro të madhe e do t’i sillte fitime të mëdha. Ai nuk e la dëshirën ta mundonte për një kohë të gjatë, por e hapi një lokal të tillë në Lynn.

Biznesi po i shkonte mirë, por nuk vazhdoi veçse disa muaj. Ishte koha e depresionit ekonomik, që përfshiu gjithë Amerikën, lokalet e dyqanet falimentonin shpejt dhe pronarët i shisnin me çmime fare të ulëta. Antoni, me intuitën e tij të tregtarit që s’e gënjeu kurrë, e shiti shpejt “Hot Dog”-un dhe bleu në ankand, restorantin më të bukur të Lynn-it.

Këmbëngulës për të ngritur një restorant me pamje tërheqëse dhe “first-class”, me 1938, ai hapi restorantin “Anthony’s Haëthorne” në doëntoën Lynn. “Hawthorne”, ishte mbyllur në kohën e depresionit ekonomik, por i krijoi mundësinë Antonit i cili, gjeti atë që kërkonte, për dy-tri mijë dollarë. Por në mbarim të vitit të parë, Athanasi fitoi 23.000 dollarë. Në fillimin e viteve ’50-të, “Anthony’s Haëthorne”, u bë restoranti me kapacitet më të madh me vend ulje, në gjithë Massachusettsin, me një fitim, me shume se një milion dollar në vit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit